Kategoria Superiore

Çela: Presim përforcime, besojmë te mbijetesa

Kastrioti është mësuar ta ecë në malore, kjo nuk lidhet vetëm me pozicioninim gjeografik të qytetit të Krujës por edhe me eksperiencat e kaluara në Kategorinë Superiore, dhe përjashtim nuk bën as sezoni aktual.

Skuadra nën drejtimin e trajnerit të ri Bledar Devollit po vijon të stërvitet me seriozitet maksimal duke mos i hedhur sytë nga renditje e varfër. Kapiteni Emiljano Çela e pranon se ardhja e përforcimeve do të plotësonte edhe konturet e përgatitjeve.

“Kemi pasur problemet tona për sa i përket afrimit të lojtarëve. Disa emra po afrohen dhe shpresoj se java tjetër do të jetë më e mirë sa I përket përgatitjes, pasi do të plotësohet grupi”, tha Çela.

Largimet e shumta më i fundit ai i Albert Cacës ndikojnë gjithnjë në atmosferën e një skuadre, megjithatë për mbrojtësin nuk është një situatë alarmante për më shumë që ka qenë klubi ai që ka vendosur për largimin e tyre.

“Synimi ynë është të bëjmë një skuadër konkurruese. Ka pasur shumë largime, por ka qenë vetë klubi që ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me ta. Klubi ka element të mirë, por edhe me disa afrime cilësore, besoj se mund të jemi konkurrues”, u shpreh futbollisti.

Elvis Plori dhe Stavri Nica nuk u shkarkuan por parashtruan dorëheqjen. 33-vjeçari ka përjetuar situata analoge në karrierë, por nuk preferon të komentojë së tepërmi vendimet e dy ish trajnerëve.

“Nuk di të them, pasi këto janë çështje që i përkasin klubit. Unë kam respekt për të dy ata, por tani kemi trajner të ri dhe frymë të re, ndaj duhet të shohim përpara”, deklaroi kapiteni i Kastriotit.

Klasifikimi nuk të ofron vetëm se pesimizëm, megjithatë “të provosh nuk kushton asgjë”, ndaj edhe Çela premton betejë për të synuar mbijetesën.

“Ne do të provojmë shanset tona deri në fund. Do të jetë e vështirë, pasi jemi në vend të fundit, por po punojmë, ndaj nuk na ndalon gjë të provojmë qëndrimin”, u shpreh Emiliano Çela.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency