Çfarë sulmi nga Ramos: Griezmann do Topin e Artë?Është një injorant!
Sergio Ramos në 360 gradë. Reali i Madridit, Cristiano Ronaldo, sezoni i ri e jo vetëm. Kapiteni i “Los Blancos” nuk e fsheh që portugezi ka lënë një boshllëk tek skuadra, por gjithsesi lojtarë të tjerë kanë ditur ta zëvëndësojnë më së miri 5 herë fituesin e Topit të Artë:
“Me Cristianon kemi kaluar një periudhë të mrekullueshme, por tani ai është lojtar i Juventusit. Është e qartë se një lojtar si Ronaldo nuk mund të zëvëndësohet kollaj, por kemi futbollistë të tjerë, të cilët kanë ambicie e dëshirë për të treguar veten. Kemi formuar një skuadër të mirë, që mund të luajë në të njëjtën lartësi si më përpara.”
Ramos u ndal gjithashtu edhe tek Antoine Griezmann. Kapitenit të Realit dukej se i kishin bërë përshtypje fjalët francezit pak ditë më parë, pasi ai tha se ndihej në të njëjtin nivel me Messin apo Cristiano Ronaldon:
“Injoranca ndonjëherë bëhet shumë e guximshme. Kur dëgjova atë djalë që fliste,mendoja për Tottin, Maldinin, Raul, Xavin, Iniestan. Njerëz, të cilët kanë fituar çdo gjë përveç Topit të Artë. Çdokush është i lirë të thotë atë që ndjen, por mendoj se ai duhet të këshillohet nga njerëz si Simeone, Godin ose Koke për gjërat që thotë.”
Një nga arsyet e këtij sulmi të kapitenit madrilen, është dhe fotoja e postuar në rrjete sociale nga 27-vjeçari pas fitores në Superkupën e Europës, ku Ramos vendoste një kurorë në kokën e Griezmann. Mbetet për tu parë nëse kampioni i botës do ti japë një përgjigje spanjollit për këto deklarata.



