Chelsea “djeg” Milanin, gati firma me mesfushorin 18-vjeçar
Jo vetëm Cucurella. Chelsea është në mbyllje edhe të operacionit për të transferuar në Stamford Bridge mesfushorin e Aston Villa-s, Carney Chukwuemeka. 18-vjeçari që ishte edhe në fokusin e Milanit, ka marrë “dritën jeshile” nga klubi i Aston Villa-s për të udhëtuar në drejtim të Londrës në mënyrë që të arrijë akordin financiar dhe të zhvillojë testet mjekësore me Chelsea-n.
Chukwuemeka, cilësohet si një nga lojtarët me shumë perspektivë dhe që Blutë e Londrës do të mund ta zhvillonin edhe më tej përkrah emrave si Jorginho apo Kante.
Sa i përket detajeve të transferimit, Chelsea pritet të derdhë në arkat e Aston Villa-s shumën e 20 milionë paundëve ndërsa lojtari do të firmosë një kontratë të vlefshme deri në vitin 2028. Për Chelsean, Chukwuemeka shndërrohet në transferimin e tretë të kësaj merkatoje pas Sterling dhe Koulibaly. Në vijim pritet që londinezët të zyrtarizojnë edhe transferimin e Marc Cucurellas nga Brighton për shumën e 50 milionë paundëve.



