Chelsea ëndërron Theo-n, dalin edhe dy alternativa të tjera për krahun e majtë
Dëmtimi i Ben Chilwell ka prishur jo pak planet e Chelsea-t që është hedhur në merkato për të gjetur pasuesin e anglezit, pasi për momentin ka në dispozicion vetëm Markos Alonson.
Emrat që po qarkullojnë janë të shumtë, teksa së fundi drejtuesit e klubit londinez kanë kërkuar informacion edhe për francezin e Milanit, Theo Hernandez, i cili po shkëlqen prej dy sezonesh në kampionatin italian.
Theo shihet si futbollisti perfekt për krahun e majtë të mesfushës, pasi ka shpejtësi dhe teknikë të lartë, megjithatë pengesë bëhet Milani, që dëshiron të luajë shanset e tij për titull dhe nuk mund të pranojë largimin e një titullari të padiskutueshëm për pjesën e dytë të sezonit.
Për më tepër, kuqezinjtë kanë nisur punën edhe për rinovimin e kontratës me Theon, që gjithsesi vështirë se do të rrijë shumë gjatë në Milano, pasi kërkohet nga shumë klube të mëdha europiane.
Alternativa të tjera për Chelsea-n janë francezi i Everton Lucas Digne, i cili ka prishur raportet me Benitez dhe është me valixhet gati, por edhe rikthimi i parakohshëm nga huazimi, i italo-brazilianit Emerson Palmeiri, që aktualisht luan për Lyon.



