Chelsea me “5 yje”, fiton dhe blindon zonën Champions, Everton në krizë, Leeds gjen suksesin
Chelsea është edhe më i fortë se problemet jashtë fushe, teksa pasditen e sotme ia ka dalë të triumfojë me rezultatin minimal 1-0, duke regjistruar fitoren e 5-të radhazi në kampionat dhe duke blinduar pozitat në zonën Champions të renditjes.
Përbalë bluve të Londrës vinte Newcastle, që nuk njihte humbje prej javësh dhe që rezistoi mirë në “Stamford Bridge” për plot 89 minuta, sepse më pas ishte Kai Havertz që dërgoi topin në rrjetën e Dubravkës, duke i dhënë fitoren Chelsea-t.
Thellohet kriza e Evertonit të Franck Lampard, që pasditen e sotme pësoi humbjen e katërt radhazi dhe tani rrezikon seriozisht rënien në Championship. “Toffees” prisnin në shtëpi Wolves, por u dorëzuan, duke u mposhtur me rezultatin minimal 0-1, teksa Kenny mori dy kartonë të verdhë për tre minuta dhe u largua me të kuq në të 78-ën.
Fitore shprese për Leeds United, që triumfoi me shifrat 2-1 ndaj Norëich dhe iu largua disi zonës së ftohtë të renditjes. Rodrigo shënoi për Leeds që në minutën e 14’, por në “Elland Road” pllakosi heshtja në të 91-tën, me MkLean që riktheu baraspeshën.
Gjithsesi Leeds nuk u dorëzua dhe në të 94-ën gjeti golin me vlerë 3-pikëshe me anë të Gelhardt, duke u ngjitur në vendin e 16 me 26 pikë.Në sfidat e tjera, Watford triumfoi 1-2 në transfertën ndaj Southampton, ndërsa West Ham mposhti me shifrat 2-1 Aston Villën e Steven Gerrardit.



