Chelsea parakalon Tottenhamin, Manchester United zyrtarisht jashtë Championsit
Chelsea thuasje e siguron pjesëmarrjen në Champions League sezonin e ardhshëm. Në javën e parafundit të Premier League-s, blutë e Londrës triumfuan thellë 3-0 ndaj Watfordit në “Stamford Bridge”, duke u ngjitur në vendin e tretë me 72 pikë, 1 më shumë se Tottenhami, që u mposht një ditë më parë nga Bournemouthi.
Skuadra e Sarrit e bëri diferencën në pjesën e dytë, duke e gjetur rrjetën fillimisht me Loftus-Cheeck, më pas shënuan David Luiz dhe Higuain.

Tjetër rezultat zhgënjyes për Manchestet United, që barazoi 1-1 në fushën e Huddersfieldit. vendit të fundit në Premier League . McTominay kaloi në epërsi “Djajtë e Kuq” që në minutën 8-të, por skuadra e Ole Gunnar Solskjaer dështoi ta ruante avantazhin, pasi Mbenza barazoi në të 60-ën. Me vetëm 1 ndeshje për të luajtur, Manchester United (66 pikë) nuk ka më asnjë mundësi, qoftë matematikore, për të shpresuar vendin e 4-t.

Mundësitë për të zënë një vend në katërshen e parë të Premier League-s i minimizoi (për të mos thënë i zeroi) edhe Arsenali, që nuk mori më shumë se një pikë në takimin me Brightonin në “Emirates”.
Të dy golat e kësaj përballjeje u realizuan me 11 –metërsh. Për “Topçinjtë” shënoi nga pika e bardhë Aubameyang, ndërsa për miqtë Murray.
Arsenali mund t’ia marrë vendin e katërt Tottenhamit nëse fiton thellë me Bunrley-m dhe “Hotspurs” humbin po thellë me Everton, një skenar praktikisht i pamundur.




