Chelsea “shfryn” ndaj Southamptonit, zhgënjen sërish Arsenali, Leeds largon rrezikun e rënies
Chelsea “shqelmon” krizën, teksa ia del të marrë një fitore tenistike në “St. Mary’s Stadium”, 0-6 përballë Southamptonit të Armando Brojës, me sulmuesin kuqezi që nuk ishte as në stol, pasi është në pronësi të londinezëve dhe në kontratën e huazimit është parashikuar që të mos luaj ndaj tyre.
Londinezët e Thomas Tuchel e nisën shumë vrullshëm ndeshjen dhe shënuan katër herë në pjesën e parë me Alonso, Mount, Werner e Havertz, ndërsa në pjesën e dytë ishin Mount e Werner që kompletuan dopietat personale e goleadën për Chelsean.
Merr fitore bindëse edhe Leeds United, që ia doli të triumfojë me shifrat 0-3 në transfertën ndaj Watfordit dhe i largohet disi zonës së ftohtë të renditjes. Raphinia, Rodrygo e Harrison shënuan për Leeds, ndërsa londinezët e Watford komplikojnë totalisht mbijetesën me këtë humbje.
Arsenali zhgënjen sërish, pasi pëson humbjen e dytë radhazi, këtë herë në shtëpi ndaj Brightonit me shifrat 1-2. Miqtë shënuan nga një gol për çdo pjesë, për të marrë tre pikët, ndërsa “topçinjtë’ rihapën sfidën me golin e Odegaard, pas asistit të Xhakës, por pa arritur të shmangin humbjen.
Me dy disfata radhazi, Arsenali dorëzon vendin e katërt te Tottenham, që ka të njëjtën sasi pikësh me “topçinjtë”, por që renditet në zonën Champions falë edhe golavarazhit.



