City dominues në derbin e Manchesterit, United mbetet një skuadër në “rindërtim”
Manchester City vijoi ecurinë fantastike edhe në derbi përballë rivalëve të përbetuar të United duke i shkatërruar 6-3. Kampionët në fuqi të Guardiolës e dominuan sfidën nga minuta e parë deri tek e fundit, duke shfaqur një ritëm të jashtëzakonshëm, ku spikatën dy tre-golëshat e Erling Haaland dhe Phil Foden ndërsa “Djajtë e Kuq” u ngushëlluan me realizimet e Antony dhe Martial, që në fund vlejtën sa për statistikë.
Ai shënon, asiston… dhe rrallë gjendet në pozicion jashtë loje
Sezoni 2022-23 sapo ka filluar dhe shumë pak superlativa kanë mbetur për të përshkruar Erling Haaland. Norvegjezi u bë lojtari i parë që shënon tre tre-golësha radhazi në Etihad dhe është mëse evidente që po shohim para syve tanë, diçka tepër, por tepër speciale. Mënyra sesi Haaland e llogarit kohën e vrapimit në zonë është po aq e pabesueshme sa edhe numri i lartë i golave që ka realizuar, 17 deri më tani në të gjitha kompeticionet. Çfarë shkakton habi më të madhe në opinionin publik është edhe aftësia e tij për t’u kapur shumë pak në pozicion jashtë loje. Joao Cancelo(tre) dhe Ilkay Gundogan(tre) janë kapur më shpesh offside se Haaland në këtë edicion, me norvegjezin që është gjendur vetëm dy herë më i avancuar. Oh, ai asistoi edhe dy herë për Phil Foden, gjithashtu.
Haaland nuk është i vetmi lojtar i klasit botëror te City
Jo vetëm Haaland, por statusin e protagonistit e mori dhe Phil Foden që ndëshkoi tre herë De Gean. 22-vjecari shkëlqeu në krahun e djathtë dhe finalizimet në derbi e çuan në 50 kuotën e golave në të gjitha kompeticionet me klubin e tij të zemrës. Në këtë mënyrë, lojtari i kombëtares anglez bëhet lojtari i parë nën urdhrat e Guardiolës që prek këtë kuotë golash në kaq pak ndeshje, duke superuar edhe Lionel Messin. Shpresa e Guardiolës është që bashkëpunimi produktiv mes Haaland dhe Foden të vijojë edhe për vazhdimësinë e sezonit.
Man.United ka ende një rrugë shumë të gjatë përpara
Humbja turpëruese me shifrat e thella 6-3 është një tregues që procesi i rindërtimit do të vijojë për një kohë të gjatë te Man.United. Katër fitoret radhazi me Liverpool, Southampton, Leicester dhe Arsenal rritën ndjeshëm besimin në skuadër, vëçanërisht triumfet ndaj The Reds dhe ndaj Topçinjve që sugjerojnë që Man. United mund të shfaqet kompetitiv në këtë edicion. Dueli me Man.City-n ishte një histori tjetër, me skuadrën e drejtuar nga Pep Guardiola që shfaqi një rendiment krejt ndryshe me atë çfarë ishin përballur “Djajtë” në fillimin e sezonit. Do të kërkohet një përpjekje madhështore që United të sigurojë kualifikimin në Champions League. Sfida e holandezit mbetet krijimi i një skuadre, me një identitet të qartë loje dhe që mund të garojë për trofe në vitet në vijim.
Scott McTominay apo Casemiro?
Një rendiment fantastik i treguar së fundmi pati ndikuar që McTominay të preferohet në formacionin titullar para Casemiros, por derbi i Manchesterit ishte mbase një test shumë i vështirë për 25-vjeçarin, që u aktivizua në vend të një lojtari që ka fituar katër trofe të Champions League dhe vjen pas një eksperience të pasur me Real Madridin.
McTominay mund të ndihmojë skuadrën me më shumë centimetra në mesfushë apo mund të jetë më i familjarizuar me skemat e Ten Hag, por skocezi nuk e gëzon vetinë e Casemiros për të mbuluar hapësirat dhe t’i jap skuadrës qetësi me shpërndarjen e topave. Diçka e tillë u vu re maksimalisht në pjesën e parë, me Man.United që e zotëroi topin vetëm 38% dhe McTominay vuajti nga intensiteti i lartë i Man.City. McTominay u zëvendësua në minutën e 60-të nga Casemiro, kur rezultati ishte ende 4-1. Braziliani nuk kishte mundësinë të bënte asgjë për të ndryshuar lojën por ajo çfarë u pa të dielën në ‘Etihad Stadium’ nga Ten Hag është një tregues që Casemiro do të jetë mesfushori titullar përkrah Christian Eriksen në ndeshjet e ardhshme.



