City rikthehet në krye, Tottenham inauguron stadiumin me fitore, Chelsea parakalon Unitedin
Manchester City është rikthyer në krye të renditjes së premier Leagues, pasi në javën e 32-të ka mposhtur uellsianët e Cardiffit, me rezultatin 2-0, në sfidën e zhvilluar në “Etihad Stadium”.
Të besuarit e Guardiolës zhbllokuan rezultatin që në minutën e 6’, me anë të fantazistit belg, Kevin De Bruyne, ndërsa Leroy Sane mbylli llogaritë në minutën e 44-t, pasi dërgoi në rrjetë një top të marrë nga braziliani Gabriel Jesus.
Vetëm 3 ditë pas humbjes ndaj Liverpoolit në transfertë, Tottenhami luajti ndeshjen e parë zyrtare në stadiumin të cilin e inauguroi vetëm pak ditë më parë dhe e4 nisi me këmbën e mbarë.
Kjo pasi Spurs arritën të fitojnë me rezultatin 2-0 përballë një tjetër skuadre londineze, siç është Crystal Palace, ndërsa golat për Tottenham u shënuan nga Son Hueng-min dhe Eriksen, të dy në pjesën e dytë.
Fitore mjaft të rëndësishme për misionin Champions League, mori edhe skuadra tjetër e Londreës, Chelsea, që mposhti me rezultatin 3-0 modestët e Brightonit.
Me Higuain në stol, skuadra e Sarrit zhbllokoi rezultatin me anë të francezit Olivier Giroud, ndërsa në pjesën e dytë ishin Hazard dhe Loftus Cheek që mbyllën llogaritë dhe ngjitën “blutë e Londrës” në vendin e pestë.



