Conte debuton në Premier me Tottenham/ Transferta për Liverpool e Atleticon, rikthehet derbi i Andaluzisë
E diel plot ndeshje interesante në Supersport. Përveç Abissnet Superiores, që sot vjen me takimet Laçi-Teuta (13:45) dhe Kastrioti-Partizani (13:45), priten duele të forta dhe të luftuara edhe në Premier League, Bundesligë dhe La Liga.
Arsenali pret në fushën e vet Watford, përballje që fillon prej orës 15:00. Moment i mirë për “Topçinjtë” e Mikel Artetës, të cilët do të tentojnë fitoren e tretë radhazi në kampionat.
Në të njëjtin orar luhen edhe ndeshjet Everton-Tottenham dhe Leeds United-Leicester City. Antonio Conte do të debutojë si trajner i Spurs në kampionat. Transfertë e vështirë, por dhe tifozët presin një rezultat pozitiv.
West Ham-Liverpool fillon në 17:30 dhe është çifti që mbyll javën e 11-të në ishull. Sfidë e zjarrtë, “Çekiçët” po zhvillojnë një tjetër sezon shumë të mirë dhe renditen në vendin e katërt, ndërsa djemtë e Jurgen Klopp një pozicion më lart.
Kalojmë në Bundesligë, aty ku dita fillon me Hertha Berlin-Bayer Leverkusen, përballje që fillon në orën 15:30. Koln-Union Berlin është ndeshja që do të nisë dy orë më pas, ndërsa në 19:30 na pret dueli Greuther Furth-Eintracht Frankfurt.
Shumë interesante dhe të forta edhe ndeshjet e ditës në La Liga. Atletico kampione viziton Valencian, takim që starton në orën 16:15. Fitorja e mundshme ngjit “Colchoneros” në vend të dytë me dy pikë larg Realit kryesues, por prova që duhet kaluar sot nuk është aspak e thjeshtë.
Në darkë derbi i Andaluzisë. Betis pret Sevillan në “Estadio Benito Villamarín”, duke nisur prej orës 21:00. Skuadra ndodhen në formë të mirë sportive dhe renditen në vend të tretë (Sevilla), ndërsa vendasit mbajnë pozicionin numër pesë në renditje.




