Angli

Conte “zbut tonet” me Mourinhon: Tottenham dhe Roma kanë të njëjtin objektiv, futbollistët e mi nuk argëtohen!

Në të kaluarën, kur të dy ishin pjesë e Premier League nuk kanë munguar përplasje e ashpra mes Antonio Contes dhe Jose Mourinhos. Dy trajnerët arritën edhe në ofensime personale duke sjellë në publik fjalë si “palaço” apo “paruke” me Mourinhon që bënte ironi me flokët e Contes. Megjithatë, tashmë koha ka ecur dhe gjakrat janë ulur ndërsa të shtunën Tottenham i Contes dhe Roma e Mourinhos do të përballen në një miqësore, vere. Para kësaj sfide, tekniku italian i Spurs-ave e ka bërë të qartë se ka respekt për kolegun e tij portugez ndërsa shtoi se Roma dhe Tottenham kanë të njëjtin objektiv; t’i japin fund dominimit të skuadrave të mëdha në Angli dhe Itali.

“Jemi të lumtur që do të luajmë ndaj një skuadre të madhe si Roma. Përplasjet me Mourinhon? Tani kemi një respekt reciprok ndaj njëri-tjetrit, historia e futbollit e ka treguar se kush jemi ne. Në të kaluarën, edhe unë, po ashtu edhe ai kemi pasur probleme e grindje me trajnerë të tjerë por janë gjëra që ndodhin. Kemi shumë vlerësim për njëri-tjetrin dhe në ndeshjen e nesërme do të përshëndetemi normalisht.

Roma dhe ne kemi të njëjtin objektiv; t’i japim fund dominimit të skuadrave të mëdha në Angli dhe Itali. Ne duhet të përballemi me Manchester City, United, Liverpool, dhe Arsenal, ndërsa Roma ka sfidat e saj ndaj Juventus, Inter dhe Milan. Më ka mbetur peng si na përjashtuan sezonin e kaluar nga Conference League pasi nuk ishte vullneti jonë ai, UEFA nuk gjeti një datë për të luajtur dhe më vjen keq sepse mund t’i shkonim kompeticionit deri në fund. Gjithsesi, jam i lumtur që e fitoi Roma.

Stërvitjet e mia janë të rënda? Jo, janë normale si gjithmonë. Por, në këtë fazë futbollistët nuk mund të zbresin në fushë për t’u argëtuar, por iu duhet të jenë në gjendjen më të mirë për të shmangur dëmtimet. Prandaj duhet stërvitje me ritëm të lartë dhe duhet të shtyjmë shumë deri në nëntor pasi lojtarët do të kthehen të lodhur nga Botërori”, theksoi Conte.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency