Lajme

Copa America gjen shtëpi, organizimi i edicionit të 47 i besohet Brazilit

Copa America gjen shtëpinë për zhvillimin e edicionit të 47 të saj, pasi do të jetë Brazili, vendi që do të presë ndeshjet e kompeticionit të të rëndësishëm futbollistik në Amerikën Latine.

I shtyrë nga vera e kaluar për shkak të koronavirusit, ky kompeticion ishte planifikuar të startonte më 12 qershor dhe të luhej në dy shtete, Kolumbi e Argjentinë, por në harkun e pak ditëve të dyja u tërhoqën.

Më datën 20 maj hoqi dorë Kolumbia, për shkak të protestave kundër presidentit të vendit Ivan Duque Marquez, ndërsa dhjetë ditë më vonë krerët e CONMBEBOL-it njoftuan se edicioni i 47 i Copa America nuk do të mbahej në Argjentinë, për shkak të përkeqësimit të situatës prej Virusit Covid – 19.

Kaq mjaftoi që të shtoheshin edhe zërat për të anuluar fare kompeticionin, teksa edhe sulmuesi uruguaian Luis Suarez bëri thirrje që t’i jepet përparësi shëndetit të njerëzve dhe futbollistëve, megjithatë ky opsion u përjashtua totalisht nga organizatorët.

E mbetur pa vend organizator vetëm 12 ditë para startit të Copa America-s, CONMEBOL është mbledhur menjëherë ditën e sotme për të shqyrtuar të gjithë ofertat e ardhura nga vende të ndryshme dhe zgjodhi të transferojë gjithçka në Brazil, duke mos bërë asnjë modifikim në kalendar.

Edicioni i fundit i Copa America-s u zhvillua pikërisht në Brazil në vitin 2019, aktivitet që kulmoi me triumfin e “verdhjeshilëve”, të cilët mposhtën me rezultatin 3-1 Perunë, përpara 70.000 spektatorëve në Stadiumin Maracana të Rio de Janeiro-s.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency