Kategoria Superiore

Cungu: I kënaqur me barazimin në Korçë, çdo ndeshje është si finale

Laçi ndali Skënderbeun pas 6 fitoresh radhazi në kampionat, ndërsa në intervistën për mikrofonin e Supersport trajneri i kurbinasve Armando Cungu komplimentoi të tijtë për paraqitjen e bërë në Korçë, ndonëse nuk e fshehu mërzinë që i iku fitorja nga duart vetëm në minutat e fundit.

Një barazim që mund të qëndronte para ndeshjes, por që ju ka lënë të zhgënjyer për mënyrën si erdhi…
Jam dakord, pasi vinim në Korçë për të luajtur përballë një kundërshtari mjaft në formë dhe bëmë një ndeshje shumë të mirë, sidomos në pjesën e parë. Patëm shumë mundësi për të dyfishuar, por nuk ia dolëm të gjejmë një tjetër gol. Në pjesën e dytë donim të mos tërhiqeshim shumë, por bëmë të kundërtën dhe i dhamë epërsi kundërshtarit, ndërsa në fund erdhi edhe ai gol, që mund të evidentohej. Gjithsesi jam i kënaqur si me barazimin, ashtu edhe me lojën që bëri skuadra.

Sa optimist ju bën kjo paraqitje për arritjen e objektivit?
Unë e thashë edhe më herët që jam i kënaqur me lojën që kemi bërë, pasi kishim përballë një nga skuadrat më në formë të javëve të fundit dhe bëmë paraqitje të mirë. Kemi edhe 7 ndeshje, ndaj duhet të bëjmë maksimumin për të arritur objektivin. Kemi disa djem të rinj, nga të cilët presim më shumë në javët e mbetura, pasi u kemi besuar shumë.

Zëvendësimet ishin të kushtëzuara apo menduat të përforconit mbrojtjen?
Greca nuk po luan në rolin e tij, por po sakrifikon dhe po e bën me përpikëri detyrën e tij në fushë. E falënderoj dhe komplimentoj për atë që po jep. Dëmtimi i tij na detyroi të bëjmë një zëvendësim, ndërsa edhe me Xhixhën e Lushkjan tentuam të freskojmë skuadrën, por ndërrimet nuk na dolën shumë mirë.

A mund ta konsiderojmë një finale ndeshjen e ardhshme me Kukësin?
Besoj që për mënyrën se si ka rrjedhur kampionati dhe në çfarë pike jemi, çdo ndeshje duhet parë si një finale dhe duhet përjetuar e luajtur si e tillë. Për më tepër ndaj Kukësit, që ka një ekip të organizuar mirë dhe me shumë potencial brenda. Megjithatë jam i bindur që edhe kundërshtari ynë e ka frikë Laçin, që ka bërë një kampionat shumë të mirë deri tani.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency