Kategoria Superiore

Cungu: Ky Kukës nuk është maksimumi, na presin ndeshje “flakë”

Edhe pse rezultati i thellë 3-0 tregon për një dominim të Kukësit ndaj Luftëtarit, trajneri Armando Cungu deklaroi pas ndeshjes se ekipi i tij vuajti dhe shfaqi pasiguri në fushë.

“Në pushimin e ndeshjes u kam kërkuar ritëm dhe seriozitet djemve. Eksperiencat kanë treguar se janë kthyer rezultatet shumë më të thella se 2-0. Kërkuam të merrnim më shumë qetësi për të qarkulluar topin. Duhet të marrim më shumë përgjegjësi. Vuajtëm shumë. Kemi djemtë të rinj që duan kohë për t’u pjekur. Gabuam në përgjithësi të gjithë. I lamë terren kundërshtarit. U krijua një situatë e pasigurt. Nuk arritëm të dilnim para.”

Et’hemi, Limaj dhe Rama: Janë djem të rinj që premtojnë shumë. Kanë kohë për të mësuar. Neve na duhen sa më shpejt dhe sa më të gatshëm për t’i shërbyer ekipit. Sa i përket Ramës, ka shumë mundësi dhe potencial në këmbët e tij. Ka qetësinë e duhur për të bërë zgjedhjen e duhur. Duhet të punojë në aspektin fizik, sidomos në fazën kur topin e ka kundërshtari. I duhet punë për të gjetur gjendjen e tij fizike.

Skema 4-4-2: Është një zgjidhje e momentit. Mendova të ndryshoja dhe vendosjen, ky ndryshim kërkon kohë dhe përshtatje për të gjithë ekipin. Po tentojmë të marrim diçka, jemi në përmirësim. Nuk pretendoj që ky është maksimumi.

Rënia e ritmit: Bëmë një pjesë të parë të mirë. Si rezultat i kësaj erdhën edhe golat. Në pjesën e dytë nuk ishim aty ku duhet të ishim. Me 2-0 mendova të ruaja freskinë e Shkurtajt dhe t’i jepja mundësinë diku tjetër. Luajmë të premten në Korçë, në mesjavë me Teutën dhe në fundjavën tjetër me Partizanin. Këto janë ndeshje “flakë” për Kukësin.

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency