Cungu: Pata frikë, pashë egoizëm te lojtarët, Valdet Rama…
Armando Cungu vlerësoi veçanërisht Valdet Ramën për cilësitë që ka dhe impulsin që i dha lojës së Kukësit, por sigurisht evidentoi edhe mangësi te skuadra e tij.
Fitore e vështirë: E drejtë, e kam thënë, nuk ka ndeshje të lehta. Tani bëhen të gjitha të vështira, me ekipe si Kamza që gjenden në fund dhe nuk kanë asgjë për të humbur. Kishim 4 mungesa, u detyruam të arnoheshim. Lojtarët ishin në pozicione të ndryshme. Nuk mund të pretendohej për futboll të bukur, por për 3 pikë.
Forma e Valdet Ramës: Dua të falënderoj Ramën pasi i dha një impuls tjetër ekipit me inkursionet e tij nga krahu. Ai ka futboll në këmbë. Çdo tifoz sheh gjëra të bukura tek ky lojtar. Por, ka mangësi në gjendjen e tij fizike. Është në progres. Bëri 45 minuta të plota. Në të ardhmen do jetë edhe më produktiv për ekipin.
Rastet e humbura: E pafalshme të falim raste flagrante, edhe në superioritet numerik. Pashë egoizëm te lojtarë të caktuar në disa momente. Kjo gjë nuk na shërben aspak. Do ndalem edhe në analizë me ekipin te këto fakte. Kemi nevojë të shënojmë më tepër, dhe të sigurojmë sa më shpejt 3 pikët, e të mos vuajmë deri në fund. Janë kthyer ekipe më të mëdha me rezultate 3-0 e jo më ne që ishim në siklet deri në fund të ndeshjes. Ligji i futbollit i pashkruar, po nuk shënove do ta pësosh. Këtë frikë e pata.



