Daiu: Humbëm prej gabimeve tona, mungesat ndikuan. Unë trajner? Vendos presidenti
Përparim Daiu drejtoi sot Egnatian në stol në humbjen 0-2 ndaj Tiranës. Trajneri i përkohshëm i ekipit nga Rrogozhina, foli për “Gol pas Goli” në Supersport, duke u ndalur te disfata ndaj bardhebluve dhe situata tek Egnatia.
“Isha mjaft i qetë, por na mungon sinqerisht fusha e sportit. Fatkeqësisht sot nuk shkoi kënaqësia deri në fund, sepse e humbëm ndeshjen. Cilësitë e Tiranës dihen, por patëm shumë mungesa, një ekip si Egnatia e vuan mungesën e sulmuesit kryesor. Të djeg më shumë të humbësh nga gabimet tona.
Tirana mund të dominojë me lojë, por do merrte rrjedhë tjetër loja nëse nuk do gabonim te golat. Pengu i vetëm është që nuk morëm rezultatin, por Tirana ka një ekip solid, që sulmon dhe ka cilësi.
Magani? Është kompetenca e presidentit, ai i merr vendimet. Kanë qenë probleme të akumuluara, për arsye rezultatesh dhe të tjera që i di më mirë presidenti. Kjo është puna e trajnerit, ai matet me rezultate. Të gjithë emrat që kanë dalë në media nuk janë kontaktuar. Presidenti ka idetë e veta dhe ka marrë kohë për të vendosur.
A do e marr unë zyrtarisht drejtimin e ekipit? Afrimi tek Egnatia nuk ka qenë që unë të bëja trajnerin. Gashi (Magani) ka qenë miku im dhe si këshilltar i presidentit do e këshilloja të mos u nxitonte, por presidenti i di më mirë gjërat e brendshme. Zgjedhja e tij nuk duhet diskutuar, ai ka investuar dhe e di më mirë se çfarë bën.
Shanset nuk ia jap vetës time, është vendimmarrja e presidentit. Nuk ishte kjo strategjia sot për t’u mbrojtur, ishin episodet dhe gabimet që u ndëshkuam. Kishim një kundërshtar mjaft të fortë, duhet cilësi të jesh i barabartë, por kemi pasur shumë mungesa të rëndësishme, nga portieri te Pedro”, përfundoi Daiu.



