Daja: Duam Europën, me licencimin merren drejtuesit e klubit
Intervista e trajnerit të Flamurtarit, Ilir Daja, dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, pas ndeshjes që vlonjatët barazuan 1-1 ndaj Luftëtarit.
Ishit shumë pranë fitores, por pësuat një gol në minutat e fundit…
Ishte një ndeshje mjaft e mirë dhe e dyluftuar, por rastet ishin me pikatore. Na vjen keq që morëm gol në minutat e fundit, por nuk duhet të jemi egoistë dhe besoj që edhe Luftëtari e meritoi këtë barazim.
Besoni te Europa?
Po punojmë dhe po i marrim ndeshjet me radhë, për të arritur objektivin. Besoj se do të jetë e rëndësishme jo vetëm për ne si staf, që të arrijmë objektivin, por edhe për Flamurtarin dhe qytetin, që e presin prej vitesh daljen në Kupat e Europës.
E ndjetë mungesën e 2-3 lojtarëve të fortë në stol?
Sigurisht që me një stol të fortë, ke mundësi të freskosh skuadrën dhe të ndryshosh ritmin, por ne përveç mangësive në stol, sot kishim edhe spostime lojtarësh. Kishim adaptuar 2-3 lojtarë në pozicione jo natyrale, ndaj nuk arritëm të ndryshojmë në kohën e duhur.
Çfarë po ndodh me licencimin?
Nuk e di se çfarë po bëhet me atë proces, pasi unë jam i angazhuar që të rendit skuadrën në zonën që të çon në kupat e Europës dhe pjesën tjetër duhet ta bëjnë instancat e tjera të klubit.



