Daja e ka me sulmin: Duhet të mbyllim ndeshjet
Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja është i kënaqur me 3 pikët e fituara ndaj Laçit, por ka rezerva për mënyrën se si rrodhën ngjarjet. Ai u shpreh se skuadra duhet të shfrytëzojë më mirë rastet dhe të mbyllë ndeshjet, që të mos përjetojnë situate si kjo e sotmja.
“Krijojmë shumë dhe duhet të shënojmë më shumë. Duhet të jemi më të kthjellët para portës dhe të arrijmë të mbyllim ndeshjet. Por duhet të përmirësojmë edhe anën psikologjike, që të mos kapemi në panik kur pësojmë gol, ashtu si sot”, tha Ilir Daja.
Trajneri i korçarëve pranoi se ndoshta skuadra vuan për t’u motivuar ndaj ekipeve të Superiores, por evidentoi edhe faktin se dëmtimet e kanë detyruar t’u japë shumë minuta disa lojtarëve të caktuar.
“Ndoshta nuk motivohemi aq sa duhet ndaj ekipeve të Superiores, por jemi kushtëzuar edhe nga dëmtimet. Kjo na ka detyruar që disa lojtarë t’i ngarkojmë shumë dhe këtu kam parasysh Sowe, që po luan në çdo takim, edhe për shkak të mungesës së Nespor dhe lojtarëve të krahut. Edhe sot na u dëmtua sërish Osmani, por shpresoj të mos ketë asgjë serioze”, u shpreh trajneri i korçarëve.



