Daja: Luhet shumë pak lojë efektive, gabuam në pjesën e dytë
Intervista e trajnerit të Flamurtarit Ilir Daja, dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në SuperSport, pasi vlonjatët u mposhtën me rezultatin minimal 1-0 në transfertën korçare ndaj Skënderbeut.
Për 32 minutat e para dukej sikur po luanit në Vlorë, duke e dominuar kundërshtarin?
Unë do të thoja se është një lojë e ndarë në dy pjesë. Një pjesë e parë shumë e mirë dhe një pjesë e dytë e dobët, për meritë të kundërshtarit dhe gabimet tona. Atë që bëmë në pjesë të parë, nuk e bëmë në pjesë të dytë dhe i dhuruam shumë topa kundërshtarit, por pa ua hequr meritën atyre.
Surprizuat me Beqajn?
Sigurisht që nuk përbën më lajm pjesa e mungesave dhe nga fillimi i sezonit deri tani, nuk e kemi pasur asnjëherë kontingjentin në dispozicion. Ishte një alternativë që e gjykuam si më të mirën. Është një djalë 20-vjeçar dhe nuk di që t’i ndajë energjitë e veta. Ishte një zgjedhje e mirë, duke parë që edhe mbrojtësi i Skënderbeut është i shpejtë. Tentuam ta zëvendësonim edhe për shkak të kontingjentin në dispozicion.
Goli i anuluar i Busiç? Keni qenë edhe te Skënderbeu, edhe te Flamurtari tani. A ndjeni ndonjë ndryshim të sjelljes së arbitrave në të dy kampet?
Nuk jam ankuar as te Skënderbeu as te Flamurtari për arbitrat. Ajo që kërkoj më tepër është loja efektive. Futbolli nuk luhet duke i rënë bilbilit 100 herë në një ndeshje. Ka momente që duhen toleruar kontaktet, pasi këto dyluftime ia shtojnë më shumë bukurinë futbollit. Te qendërsulmuesi jonë, Bushiç, çdo lloj kontakti nuk ka faull, në përgjithësi. Ndërsa për kundërshtarin fillojnë edhe shtyjnë. U thashë edhe lojtarëve në dhomat e zhveshjes. Para se ta kërkojmë te kundërshtari, duhet ta kërkojmë te vetja jonë dobësinë.
A ka probleme financash te Flamurtari?
Jam trajner dhe merrem me pjesën teknike. Nuk më takon mua të përgjigjem për këtë gjë.
Goli i pësuar?
Ka pasur një pjesë të dytë ku duhet të bënim një qarkullim të shpejtë dhe ka pasur shumë raste që e kemi dhuruar topin, gjë që ka qenë një gabim nga ana jonë. Nëse gabon kur merr topin, do të vijë një moment kur gabon afër zonës, nga ku erdhi edhe goli.



