Daja: Na kushtëzuan mungesat, të rinjtë më dhanë sinjale pozitive
Skënderbeu u mposht me rezultatin 3-1 në kryeqytet nga kampioni në fuqi, Partizani, ndërsa në intervistën e dhënë për “Gol pas Goli” në Supersport trajneri Ilir Daja pranoi se pati vështirësi në ndërtimin e formacionit, por evidentoi paraqitjen pozitive të disa futbollistëve të rinj.
Çfarë nuk funksionoi te skuadra, që hyri me vonesë në lojë?
Janë një sërë gjërash, që ndikojnë, si dëmtimi i Taipit, por edhe dalja e Bregut, që ishte me temperaturë, shto këtu edhe mungesën e Krasniqit, u detyruam të luajmë me disa futbollistë të rinj dhe u ndëshkuam. Në momentin që rikuperuam dhe morëm kontrollin e lojës, gabuam në vendosje te goli i Çinarit dhe aty mori fund ndeshja.
Mbrojtja është reparti më i dobët. Po prisni rikthimin e Jashanicës, apo po mendoni edhe për ndonjë përforcim?
Skuadra nisi organizimin me vonesë dhe reparti i mbrojtjes ishte i fundit që u kompletua, për shkaqe që ju i dini. Është e vërtetë që pësojmë shumë, por unë nuk dua ta shikoj këtë thjesht si një problem të mbrojtjes, pasi edhe pjesa tjetër e skuadrës, duhet të jetë më e organizuar dhe të vijë më shumë në ndihmë.
Vuajtët shpejtësinë e “të kuqve”, apo mbrojtja juaj ka probleme?
Ne presuam lart dhe e dinim që mund të kapeshim në vështirësi për këtë, por sot vuajtëm sepse Dita nuk ka eksperiencën e një mbrojtësi dhe ka kohën e mesfushorit në ndërhyrje, ndërsa te goli i tretë treguam mungesë eksperience. Megjithatë një politikë e klubit është edhe prezantimi dhe promovimi i elementit të ri, ndaj duhet t’i mbështesim edhe kur gabojnë.
A ia vlen të investohet më te Otto John?
Unë përmenda disa emra, pasi përveç politikës së klubit, e meritojnë të promovohen për atë çfarë kanë dhënë. Mund të veçoj Elezin, që u fut me shumë personalitet, pavarësisht momentit të ndeshjes dhe faktit që është vetëm 18 vjeç. Sa i përket Otto Johnit, duhet ta rishikoj me qetësi, por ai është një lojtar që duhet ta fitojë vetë fanellën e titullarit, pasi atje në sulm kemi edhe një si Krasniqi.
A patët frikë nga një humbje me goleadë?
Të drejtosh Skënderbeun sot, mund të kesh edhe këtë lloj frike, por sot nuk e para këtë ndjesi, duke parë lojën në fushë. Me kalimin e minutave, morëm lojën nën kontroll, ndonëse pësuam një gol aksidental më pas, por nuk kisha frikë për humbje me goleadë.



