Kategoria Superiore

Daja nuk kërkon alibi: Kemi mungesa, por në derbi nuk luajmë për barazim

Ilir Daja pa frikë në konferencën për shtyp para derbit Tirana-Partizani që do të luhet këtë të hënë në orën 19:45 në Air Albania për javën e 6-të të Abissnet Superiores. Pavarsisht momentit jo të skuadrës së tij që nuk e ka shijuar ende kënaqësinë e fitores në këto 5 javë të para dhe mungesave të rëndësishme të tre lojtarëve me peshë si Ergys Kaçe, Lucas Cardoso dhe Tedi Cara, trajneri i Partizanit nuk kërkon të gjejë alibi me Dajën që ka bindjen se të kuqtë do ta gjejnë fitoren e parë sezonale pikërisht në derbin e kryqytetit ndaj një Tirane që e ka nisur në mënyrën më të mirë këtë sezon.

“Përtej pikëve të lëna, atmosfera është e mirë pasi derbi është një ndeshje që i motivon lojtarët. Kemi disa mungesa të formacionit ku do të veçoja Kaçen, Cardozon dhe Carën që kanë qenë në formacion gjatë këtyre javëve. Camara ka lëvizuar jashtë Shqipërisë për procedurat që do të thotë që reparit që na mungon më shumë është sulmi. Kjo nuk do të thotë asgjë pasi derbi është një ndeshje për t’u fituar dhe nuk ka justifikime pasi çdo lojtar që do të luajë do të japë maksimumin. Ne pretendojmë për të marrë fitoren e e parë e këtë gjë duam ta bëjmë në derbi.Kush merr fitoren në derbi ka një avantazh të madh nga ana psikoligjike, por ka ende shumë javë për t’u luajtur. Në objektivat afatshkurtër do të jetë një pikë kthesë, por në ato afatgjata nuk ndryshon gjë pasi ka edhe 3 derbi të tjerë. Në derbi prodhojmë pak spektakël, por nuk do të futemi në fushë për barazim, por vetëm për fitore”.

Trajneri i Partizanit komentoi edhe zgjedhjen e ekspertëve të shëndetësisë që stadiumi i Air Albania të jetë në një kapacitet të reduktuar edhe në derbin e kryeqytetit ashtu siç ka ndodhur në të gjitha sfidat e këtij sezoni në Abissnet Superiore.

Tifozët? “Ne e kemi të qartë që ndeshje luhen për tifozët dhe çdo trajner e do stadiumin plot. Duhet të jemi edhe realistë për situatën pasi një stadium plot mund të agravojë më shumë situatën dhe këtë gjë e dijnë më mirë ekspertët e mjekësisë”.

Në lidhje me deklaratën e presidentit Gazmend Demi se stoli i trajnerit nuk varet nga rezultati i derbit, Daja u shpreh:

Deklarata e presidentit Demi? “Të punosh te Partizani, një nga klubet më të titullar në Shqipëri ka presion pasi objektivat janë gjithmonë të larta. Kemi një skuadër me moshë të re dhe një suport i tillë nga presidenti do të thotë më shumë përgjegjësi. Nuk na ka munguar ana financiare dhe as suporti nga presidenti dhe kjo përkthehet në përgjegjësi më të madhe për të arritur objektivat që ka skuadra. Me hapjen e kompleksit ku mezi po e presim të gjithë besoj se ky proces do të zhvillohet akoma më shumë dhe përgjegjësia do të jetë më e madhe për të arritur objektivat”.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency