Dal Pino kundër masave të qeverisë: Futbolli është industri, jemi në prag të kolapsit
Kryeministri i Italisë dekretoi një sërë masash të tjerë shtesë për të përballur situatë ne pandemisë dhe një ndër to ishte zhvillimi i ndeshjeve të Serisë A pa praninë e tifozëve, duke bërë një hap pas nga lejimi i 1000 personave në shkallët e stadiumit në javët e para.
Të gjithë klubet kishin kohë që shfaqnin optimizëm për të rritur numrin e tifozëve nga 1000 për ndeshje, në 30% të kapacitetit të stadiumit, por vendimi më i fundit i qeverisë italiane mund të quhet një hap pas në këtë drejtim.
E përveç ndalimit të tifozëve, në Itali ka nisur të ndjehet frika e një tjetër ndërprerjeje të kampionatit, ashtu siç u bë në mars të këtij viti, me izolimin total të qytetarëve, ndaj ditën e sotme Liga e Serisë A ka reaguar nëpërmjet presidentit Dal Pino.
“Vlera e futbollit si industri, nuk është thjesht një demagogji, por një realitet dhe këtë duhet ta kuptojë sa më parë edhe kryeministri Conte. Klubet e futbollit janë në prag të kolapsit dhe kam frikë se ekonomia e vendit do t’i paguajë shumë shtrenjtë këto masa që po injekton”, u shpreh Dal Pino.
Pandemia uli ndjeshëm shpenzimet e klubeve për merkaton e kësaj vere, ndërsa në bilancet financiare të gjithë klubet raportuan humbje shumë më të mëdha sesa ishte parashikuar.
Dëmet ekonomike të klubeve mund të rëndohen edhe më shumë, nëse do të vijohet gjatë pa praninë e tifozëve, apo më keq akoma, të ndërpritet sërish aktiviteti futbollistik në Itali apo kudo në Europë.



