Kategoria Superiore

Dalipi apel tifozërisë së kuqe: Futbolli luhet për ju

Klevis Dalipi debutoi me fitore në stolin e Partizanit dhe njëkohësisht i shkaktoi humbjen e parë Luftëtarit, pas 11 takimesh.

Pas golit të Bathës, keni shpërthyer në festë. Ishte kjo një mënyrë për të shfryrë presionin e krijuar?
Dalipi: Fillimi ishte vërtetë i vështirë për ne, veçanërisht 10 minutat e para, por ai gol i Trashit, ishte prej një sulmuesi race, dhe na çliroi në veprimet tona. Më pas, skuadra doli në lojën e vet dhe si rrjedhojë shënuam edhe dy golat e tjerë, por mund të bënim akoma më mirë.

Kjo fitore ju mban në lojë për një vend në Europë. Sa mundësi ka Partizani t’ia dalë të realizojë objektivin?
Dalipi: Vështirësia shtohet, pasi në çdo takim ka skuadra që pretendojnë për diçka dhe kjo është faza më e ‘nxehtë’ e kampionatit. Duhet të punojmë shumë për të arritur objektiva madhorë, dhe për të përballuar me sukses pjesën e mbetur.

A ishte një strategji, bllokimi i 3-shes së Luftëtarit, Abazar-Bregu-Rroca?
Dalipi: Natyrisht që një skuadër e madhe bëhet edhe nga interpretimi i mirë i fazës mbrojtëse, jo vetëm në sulm. Ne izoluam kundërshtarët, duke evituar rrezikun që vinte nga lojtarët kryesorë të saj.

Jasir Asani u duk se pati një rënie të formës, krahasuar me ndeshjet e fundit.
Dalipi: Nuk mendoj se pati rënie, por lojtari u konsumua shumë, duke ndihmuar edhe mbrapa. Zëvendësimi i tij ishte taktik, pasi isha i kënaqur me atë që po jepte deri në ato momente.

A keni një apel për tifozërinë e kuqe?
Dalipi: Patjetër. Futbolli luhet për tifozët dhe duhet të vijnë sa më të shumtë në numër. Ne do mundohemi të japim më të mirën dhe t’i kënaqim me rezultate dhe lojë.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency