Kategoria Superiore

Dalipi: Respekt për Kamzën, por duam fitoren

Në mungesë të Sulejman Starovës, që është pezulluar nga Komisioni i Disiplinës me 8 ndeshje, vendin e tij në konferencën e zakonshme për shtyp të Partizanit e zuri zv.trajneri Klevis Dalipi. Në prag të takimit me Kamzën, skuadër tek e cila 41-vjecari ka dhënë kontributin e tij si futbollist për tre sezone, Dalipi vlerësoi në maksimum ekipin kundërshtar, për më tepër kur bëhet gati për t’u plotësuar gjysma e parë e kampionatit, miqtë pozicionohen në gjysmën e sipërme të klasifikimit, me dy pikë më shumë sesa “demat e kuq”.

“Është një përballje ndryshe nga ndeshja e luajtur në Vlorë. E vlerësojmë shumë ekipin e Kamzës, pasi jo rastësisht gjendet në këto pozita në klasifikim në këto 17 javë, i ka merituar pikët e grumbulluara. Kamza gëzon një grup të mjaft të mirë lojtarësh, por edhe një trajner që e njeh mjaft mirë kampionatin. Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e këtij takimi, por objektivat tona siç edhe e kemi deklaruar janë të marrim në çdo ndeshje vetëm fitore. Lojtarët që janë afruar në janar po ambientohen dita-ditës me grupin”, tha Dalipi.

Pavarësisht dy humbjeve me Flamurtarin, në kupë dhe kampionat, Klevis Dalipi mbrojti skuadrën, por pranoi gjithashtu se përpara ekipi duhet t’i shfrytëzojë më mirë rastet në dispozicion.

“Mendoj që në takimin e Kupës skuadra funksionoi më mirë në të gjitha aspektet, por duhet të përmirësohemi më shumë në finalizimin e aksioneve, sepse lojtarët që kemi në organikë, kanë akoma më shumë potencial për të dhënë në fazën sulmuese. Skuadra po funksionon mirë, tashmë ne presim shumë nga lojtarët e rinj, por edhe nga grupi aktual që të japin më shumë për skuadrën”, u shpreh Dalipi.

Zv.trajneri i Partizanit u ndal në mënyrë të veçantë për të shpjeguar gjendjen e sulmuesit Edgar Çani. Ai i konsideroi si lëvizje pozitive gjithë afrimet e lojtarëve gjatë muajit të parë të vitit.

“Çani po zhvillon një program, për vetë faktin se është bashkuar vonë me ekipin dhe nuk ka kryer fazën përgatitore me skuadrën. Ajo që është pozitive në këto ditë që gjendet pranë grupit është se ka marrë ngarkesat e plota dhe nuk ka shfaqur shenjat e dëmtimit që e kanë shoqëruar përgjatë gjithë kësaj periudhe. Por Çani ende nuk është në 100% e kondicionit të tij fizik dhe në ditët në vazhdim do të presim si do të reagojë. Kemi qenë shumë të kujdesshëm në merkato dhe besoj që kemi afruar lojtarët e duhur në periudhën e janarit. Është e vështirë që të gjesh lojtarë të lirë, por ne kemi bërë maksimumin dhe them që janë afrime pozitive”, tha zv. trajneri i të kuqve.

Në fund, pavarësisht skualifikimit Dalipi, theksoi rëndësinë e Starovës, qoftë edhe në një rast si ky, kur 62-vjeçari është pezulluar nga Komisioni i Disiplinës.

“Sigurisht Starova është një mungesë e rëndësishme, por ai është gjithnjë pranë skuadrës, thjesht që në pankinë ka lënë një të besuarin e tij, ndaj mendoj kjo nuk do të ndikojë në rezultatet pozitive. Starova do jetë gjithmonë pranë”, deklaroi Dalipi.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency