Katar 2022

“Dardanët” gati për një rrugëtim magjik, prova e parë Suedia e Ibrahimovicit

Përfaqësuesja e Kosovës nis sot rrugëtimin e saj plot ëndrra në eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”. “Dardanët” do të debutojnë në këtë fushatë kualifikuesesh kundër Suedisë, më “Fadil Vokrri”, në orën 20:45, me dëshirën e madhe për të marrë rezultat pozitiv, edhe pse do të kenë kundërshtar që prej sulmuesve më të mirë që ka njohur historia e futbollit, Zlatan Ibrahimovicin.

Suksesi me rezultat të thellë (4-0) në miqësore ndaj Lituanisë e ka rritur entuziazmin mes “dardanëve”, por, kuptohet, “muzika” këtë herë do të ketë tjetër ritëm. Nuk mund të mjaftojë vetëm dëshira për të triumfuar, pasi duhet përgatitje e zgjuar taktike dhe përqendrim maksimal përballë një ekipi e shumë përvojë.

Përtej mungesave shumë rëndësishme, siç janë Amir Rrahmani, Herolind Shala, Valon Berisha, Ibrahim Dresevic e Arijanet Muric, “dardanët”, të drejtuar nga trajneri me shumë përvojë, Bernard Challandes, duan ta befasojnë Suedinë, pse jo për të qenë befasia e Grupit B kualifikues.

Sa i përket formacionit startues, Challandes pritet të aktivizojë Ujkanin në portë, Vojvoda e Aliti më qendër, kurse Hadërgjonaj e Paqarada nga krahët e mbrojtjes. Në mesfushë, para repartit të tërhequr do të jetë dyshja Voca-Kryesiu, ndërsa treshja Rashica-Celina-Zeneli në mbështetje të të avancuarit Vedat Muriqi.

UEFA ka caktuar gjyqtarë hungarezë për këtë takim, me kryesor Tamas Bognar, ndërsa asistentët e tij janë Balazs Buzas dhe Peter Kobor.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency