“Dardani” Rashani shënon dygolësh, i mohon fitoren Lyonit
Elbasan Rashani i mohon fitoren Lyonit në javën e tretë të Ligue 1, duke shënuar dy gola për Clermont në fundin e sfidës, teksa skuadra e njohur franceze po udhëhiqte 3-1.
Ekipi i drejtuar nga Peter Bosz shënoi që në minutën e 5-të me anë të një 11-metërshi të ekzekutuar saktë nga Dembele, ndërsa shtatë minuta më vonë Diomande i Lyonit devijoi në portën e tij duke kthyer ekuilibrat në rezultat. Gjithsesi, vendësit shënuan edhe dy herë të tjera me Paqueta e sërish Dembele, me sfidën që praktikisht u duk e mbyll me përfundimin e pjesës së parë.
Befasia ishte rezervuar në fundin e sfidës, teksa në të 80-tën Elbasan Rashani shënoi golin e 3-2, ndërsa në minutën e parë shtesë gjeti golin e dytë personal për rezultatin përfundimtar 3-3.
Moment magjik për sulmuesin 28-vjeçar të përfaqësueses së Kosovës, i sapotransferuar në Ligue 1, pas përvojës që pati në Turqi me Erzurum BB.



