De Gea nuk bëhet pishman për Realin: Manchester është shtëpia ime, ky klub më i madh se çdo trofe!
David De Gea mund të konsiderohet tashmë si një “veteran” i Manchester United pasi portieri spanjoll është pjesë e Djajve të Kuq prej 11 viteve. Në fakt, 31-vjeçari e pati mundësinë të transferohej te Real Madrid, megjithatë në fund dëgjoi zemrën dhe vendosi të qëndronte në Manchester, qytet të cilin në një intervistë të fundit e konsideron si shtëpinë e tij.
“Do të isha shumë i lumtur të qëndroja në Manchester për një kohë të gjatë, për aq kohë sa do të më lejojnë drejtuesit. Jam shumë rehat, i lumtur dhe shpresoj që para se unë të largohem të fitojmë trofe. Unë nuk bëhem pishman për Real Madrid, zgjodha Manchesterin sepse është shtëpia ime dhe tashmë mendoj vetëm për United.
Është një privilegj të jesh pjesë e këtij klubi, një nga gjërat më të mira që më ka ndodhur në jetë. Normalisht, kemi kaluar edhe situata të vështira kur nuk kemi mundur të fitojmë, megjithatë unë e dua këtë klub. Për mua të fitosh ose jo, Manchester është më i madh se çdo trofe”, u shpreh De Gea.



