De Ketelaere, agjenti: E ndiqte edhe Barcelona, kur më tha troç se donte vetëm Milanin
Tratativat e blerjes së Charles De Ketelare zgjatën shumë për Milanin. Club Brugge mori një ofertë më të mirë nga Leeds United, por 21-vjeçari belg e kishte ndarë mendjen për t’u transferuar te kuqezinjtë italianë.
Në shumë momente u rrezikua operacioni i kalimit të tij te Milani, por në fund u arrit akordi mbi bazën e 32 milionë eurove, me kampionët e Belgjikës që do përfitojnë edhe 3 milionë të tjera në formë bonusesh.
Agjentët e mesfushorit ofensiv, Tom De Mul and Yama Sharifi zbulojnë klubet që ishin pas De Ketelaere – mes tyre edhe Barcelona – ndërkohë që theksojnë se nuk ishte aspak mision i thjeshtë arritja e marrëveshjes Milan-Brugge.
“West Ham, Newcastle dhe Arsenali e kanë ndjekur, por ata nuk hodhën hapa konkretë. Charles u ndoq edhe nga Barcelona për një kohë të gjatë, por nuk isha i bindur se kalimi te Barça ishte hapi i duhur që duhej hedhur.

Financiarisht, Leeds United do të kishte qenë alternativa më e mirë: për Club Brugge, për lojtarin dhe për ne. Por, ai donte të priste edhe pak. Gjërat nisën të ndryshojnë kur Charles ndjeu se Milani ishte 100% serioz.
Në një moment ai më tha: ‘Dua të shkoj te Milani’. Unë i thashë që më ke pas vetes nëse dëshiron të transferohesh te Milani. Ndërkohë e paralajmërova: ‘Përgatitu për disa javë të vështira’.
Ishte problem i madh, pasi Brugge kishte marrë ofertë më të lartë. Pas takimit në Belgjikë, klubet e Milanit dhe Brugge nuk donin të bisedonin më mes tyre.
Më pas ne shkuam në Lugano. Dy superfuqi u përballën me njëra-tjetrën dhe u bë një betejë e vërtetë… Bota e jashtme nuk mund ta kuptojë se sa e vështirë ka qenë zgjidhja e situatës”, deklaroi agjenti i Ketelare.
TESTONI NJOHURITË TUAJA RRETH PREMIER LEAGUE
QUIZ/ Premier League 2021-2022 – Sa mirë e kujtoni sezonin që sapo u mbyll?



