Monaco turpërohet nga Strasbourg, as Fabregas nuk i shpëton nderin!
Debutim i hidhur për Cesc Fabregas me fanellën e Monacos në Stade Louis 2. I prezantuar vetëm pak ditë më parë nga skuadra e Principatës, që drejtohet nga një emër i madh se Tierry Henry, mesfushori spanjoll u preferua titullar në sfidën e shtëpisë ndaj Strasbourg. Fabregas me Monacon kishte debutuar një javë më parë në barazimin ndaj Marseille, ndërsa humbi sfidën e mesjavës në shtëpi ndaj Nice.
Por nuk ishte e thënë që ndeshja e tij e parë me Monacon në Principatë përballë publikut vendas të shkonte mirë, pasi vendasit humbën thellë 1-5. Gjithçka nisi ters për ekipin e Henry, teksa në minutën e 7-të Naldo u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë skuadrën e tij me një lojtar më pak. Vetëm 5 minuta më vonë Strasbourg kaloi në avantazh me Ajorque, ndërsa Tomasson shënoi të dytin në të 17-ën për miqtë.
Falcao u duk sikur ndezi një fije shpresë për Monacon me golin e 2-1 në minutën e 22-të, por më pas Strasbourg mori situatën në dorë duke shënuar edhe tre gola të tjerë me autorë Sissoko, sërish Ajorque dhe Fofana. Fabregas madje u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 72-të. Monaco vazhdon të qëndrojë në zonën e rënies në Ligue 1, me 15 pikë në 21 ndeshje.



