Futboll

Debutim perfekt para idhujve të tij, talenti spanjoll “mahnit” shtypin botëror

Spanja ndërpreu serinë prej 37 ndeshjesh pa humbje të Italisë, pasi e mposhti në gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve falë një dopiete të Ferran Torres, megjithatë ai që surprizoi të gjithë me paraqitjen e tij në “San Siro” ishte mesfushori Gavi.

Talenti 17 vjeçar i Barcelonës debutoi me përfaqësuesen iberike, duke u bërë edhe lojtari më i ri që luan për “furia Roja” dhe ndonëse kishte përballë dy mjeshtra të mesfushës si Verratti e Jorginho, impresionoi jo pak me personalitetin e cilësinë e lojës, duke tërhequr vëmendjen e mediave më të mëdha sportive europiane.

“Verratti, futbollist i nivelit botëror, ka vuajtur shumë kundër tij”, shkruante Marca, e përditshme sportive në Spanjë, ndërsa edhe mediat franceze si L’Equipe dhe Le Parisien vënë në dukje përballjen si i barabartë me mesfushorin e PSG-së.

“U zëvendësua në minutën e 83-të, duke u sjellë si lider, jo më si një fëmijë që tre muaj më parë bënte tifo për përfaqësuesen e vendit të tij”, thotë ndër të tjera britanikja Daily Mail, ndërsa e përditshmja gjermane Bild shkruan se “Gavi falënderon në mënyrën më të mirë Luis Enriquen, që i dha mundësinë të debutojë dhe të hyjë në historinë e Spanjës”.

Vetë trajneri i Spanjës, Luis Enrique i befasoi të gjithë kur zbuloi listën e të grumbulluarve dhe emrin e 17-vjeçarit në të, ndërsa pas ndeshjes me Italinë shpjegoi edhe arsyet pse kishte vënë bast për të ardhmen e 17-vjeçarit.

“E kam thënë tashmë që është një lojtar unik, ka personalitet të jashtëzakonshëm dhe debutimi i tij ishte perfekt. Gavi është e tashmja dhe e ardhmja e Spanjës, ndërsa Verratti është idhulli i tij, të cilin e ka mposhtur në disa duele sot”, u shpreh trajneri i Spanjës.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency