Tenis

Del Potro “thyen” magjistarin Federer dhe fiton Indian Wells

Çdo magji e ka një fund madje edhe një magjistar si Roger Federer ka limitet e tij. I rilindur në moshën 36-vjeçare veterani zviceran pësoi humbjen e parë të vitit teksa u mposht nga Juan Martin Del Potro në finalen e Indian Wells  duke u ndalur pas 17 fitoresh radhazi.Edhe në këtë ndeshje Federer kishte shansin ideal për të fituar një tjetër turne të rëndësishëm në karrierë por në setin e tretë kur rezultati ishte 5-4 në favor të mbretit Rogerer, zvicerani me shërbimin në dispozicion shpërdoroi tre match point duke u dorëzuar në fund përballë Del Potros që triumfoi në një finale spektakolare dhe ndër më të bukurat në historinë e Indian Wells me rezultatin 6-4, 6-7 dhe 7-6 pas 2 orë e 42 minutash lojë. Lodhja dhe energjitë e shumta që kishte shpenzuar për të mposhtur Borna Coric në gjysmëfinale u ndienë te numri 1 i Botës që përballë Del Potros nuk shfaqi tenisin e tij më të mirë. Federer megjithatë luajti më bukur se në gjysmëfinalen ndaj Coric, por finalja e këtij mbi çimenton kaliforniane, ishte një ndeshje e një niveli shumë të lartë dhe përballë zviceranit ishte Del Potro më i mirë i 5 viteve të fundit me argjentinasin që fitoi titullin e tij të parë në një turne Masters 1000 dhe më pas ia dedikoi trofeun qenit të tij. Më pak brilant se herët e tjera Federer i cili u shfaq gjithashtu dhe shumë nervoz duke humbur një ndeshje që nëse do të ishte treguar më i qetë mund ta kishte fituar pa më të vogëlin problem. Për Del Potron kjo ishte fitorja e 7-të ndërsa numëron edhe 18 humbje në përballjet direkte me mbretin Roger, ndërkohë që Federer edhe pas kësaj disfate mbetet numri 1 i Botës në renditjen e ATP por për ta ruajtur këtë pozicion edhe pas Mastersit të Miamit, 36-vjeçari helvet duhet të arrijë të paktën deri në çerekfinalet e turneut që do të startojë në Florida këtë të mërkurë. Në tenisin femëror, japonezja Naomi Osaka e lindur në qytetin e Osakas është kampionia e re e Indian Wells. Në finalen surprizë ndaj ruses Daria Kasatkina, tenistja nipone dominoi totalisht duke fituar me një lehtësi të jashtëzakonshme 2-0 me sete me shifrat 6-2 6-3 në vetëm 70 minuta lojë.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency