Dëmtohet Abrashi, mungon 6 javë dhe humbet sfidat e kombëtares!
I pafat Amir Abrashi. Mesfushori i kombëtares do të humbasë grumbullimin e rradhës me kuqezinjtë për sfidat vendimtare të muajit tetor ndaj Hungarisë në Budapest dhe Polonisë në Tiranë pasi nga dëmtimi që pësoi në sfidën mes Grasshopper dhe Luganos në datën 23 shtator në kampionatin zviceran do të mungojë 6 javë. Kohëzgjatja e rikuperimit është bërë publike nga vetë klubi i Grasshopper që i uron shërim të shpejtë “pitbullit”. Dhimbje koke për trajnerit e Shqipërisë Edoardo Reja që e konsideronte 31-vjeçarin si një kolonë të rëndësishme të mefufshës së kuqezinjëve në dy sfidat e radhës ndaj dy rivalëve direkt në garën për vendin e 2-të që të çon në fazën play-off të eliminatorëve të Botërorit Katar 2022.
Amir Abrashi u aktivizua titullar në humbjen 4-1 ndaj Polonisë në shtator dhe fitoren 1-0 ndaj Hungarisë në Elbasan Arena duke treguar sinjale pozitive. Pikërisht në sfidën ndaj maxharëve, mesfushori shtatshkurtër u zëvendësua në minutën e 69-të nga Endri Çekiçi për shkak të një dëmtimi i cili e mbajti jashtë fushave për më shumë se 2 javë me Abrashin që humbi duelin me San Marinon dhe u rikthye në fushë me klubin e tij vetëm në barazimin 1-1 të Grasshopper ndaj Luganos më 23 shtator duke u dëmtuar sërish në kofshën e djathtë, lëndim që do të mbajë jashtë fushave të futbollit për plot 6 javë, me Edy Rejan që tashmë duhet të gjejë zgjidhje të tjera për mesfushën.



