Lajme

Dëmtohet Mersinaj, Bushi e zëvendëson me sulmuesin e Teutës

Lorenco Vila grumbullohet me përfaqësuesen Shpresa të Shqipërisë. 20-vjeçari durrsak, që në Kategorinë Superiore luan me skuadrën e Teutës, u thirr në kombëtaren e 21-vjeçarëve kuqezi nga trajneri Alban Bushi, për të zëvendësuar Jon Mersinajn, që në sezonin e fundit u aktivizua me ekipin e Laçit.

Mbrojtësi nga Tirana u largua nga grumbullimi i përfaqësueses Shpresa për shkak të një dëmtimi dhe nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Bushi për tre ndeshjet e ardhshme të 21-vjeçarëve kuqezi. Qendërsulmuesi Lorenco Vila ka debutuar në Kategorinë Superiore me klubin durrsak që në sezonin 2016-17 dhe numëron 27 ndeshje gjithsej në kampionatin shqiptar.

Skuadra e Alban Bushit siç dihet, është duke u përgatitur në mënyrë intensive për sfidën zyrtare me Turqinë, ndeshje që do të zhvillohet ditën e premte në Stamboll. Ekipi i 21-vjeçarëve u stërvit për disa ditë në qytetin e Elbasanit, ndërsa aktualisht kontigjenti i futbollistëve në dispozicion të 45-vjeçarit, ndodhet në Durrës në Kompleksin Tropikal, ku grupi do të qëndrojë deri më datë 5 qershor, pikërisht ditën kur edhe skuadra do të niset për të fluturuar drejt Stambollit.

Në Grupin e Tretë bashkë me përfaqësueset Shpresa të Shqipërisë dhe Turqisë bëjnë pjesë gjithashtu edhe ekipet e 21-vjeçarëve të Anglisë, Austrisë, Kosovës dhe Andorrës. Deri tani përfaqësuesja kuqezi e 21-vjeçarëve ka zhvilluar dy ndeshje, përsa i përket sfidave eliminatore për evropianin e ardhshëm, të vlefshme për edicionin e 23 të këtij kompeticioni, që do t’i luajë ndeshjet e fazës finale në vitin 2021 në Hungari dhe Slloveni.

Fillimisht më 23 mars formacioni i Bushit u mund në “Elbasan Arena” nga Turqia me shifrat 2-1, ndërsa tre ditë më vonë ekipi barazoi në Andorra me rezultatin 2-2. Në vazhdim sfidat eliminatore do të rikthehen në muajin shtator kur Shqipëria do të presë Austrinë, sidoqoftë pas duelit me Turqinë në Stamboll Federata Shqiptare e Futbollit ka programuar për 21-vjeçarët kuqezi edhe dy ndeshje miqësore me Uellsin, që do të luhen më datat 9 dhe 11 qershor.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency