Depay “zbehet”, Juventus projekton rikthimin e sulmuesit polak në Serie A
Memphis Depay po kalon një periudhë të vështirë te Barcelona, pasi në dy ndeshjet e para sezonale, holandezi ka qëndruar në stol.
Por, edhe kjo situatë nuk e ka bërë sulmuesin të reflektojë, pasi Juventus pothuajse ka hequr dorë nga ideja për ta transferuar në Torino. Kjo për shkak se ish-lojtari i Lyon kërkon kushte të larta financiare.
Në këtë mes, ai që humbet më shumë është 28-vjeçari, pasi “Zonja e Vjetër” ka gati objektivin e radhës dhe bëhet fjalë për një lëvizje të bujshme.
Juventus ka kontaktuar së fundmi ekipin francez të Marseille për shërbimet e Arkaduisz Milik. 28-vjeçari e njeh mjaft mirë kampionatin italian pasi kaloi katër sezone te Napoli dhe lojtari ka shprehur gjithmonë simpatinë për Serie A.

Polaku ka kontratë me marsejezët deri në qershorin e vitit 2025 dhe Marseille kërkon 20 milionë euro për kartonin e lojtarit.
Bisedimet kanë nisur dhe tashmë pritet oferta zyrtare e italianëve për të rikthyer në Serie A, Arkadiusz Milik.



