Derbi i kryeqytetit dhe “finale” mbijetese, zbardhet kalendari për javën e ardhshme
Java e 23-të e Abissnet Superiores u mbyll mbrëmjen e sotme në Shkodër me sfidën mes Vllaznisë e Dinamos, e fituar nga vendasit, megjithatë emocionet e kampionatit elitar shqiptar do të rikthehen vetëm pas dy ditësh.
Dhe çfarë emocionesh. Të shtunën në mbrëmje vëmendja do të jetë e gjitha në “Air Albania”, me Tiranën kryesuese që do të presë Partizanin në derbin padyshim me më shumë rivalitet në kryeqytetin shqiptar.
Të dy skuadrat po kalojnë një formë mjaft të mirë dhe vijnë pas disa rezultatesh pozitiv e radhazi, teksa “të kuqtë” do të provojnë të thyejnë mallkimin në derbi, pasi nuk fitojnë që prej 13 marsit të vitit të kaluar dhe kanë njohur disa disfata vitet e fundit.
Asnjë ndeshje nuk është parashikuar të luhet të dielën, teksa emocionet e Abissnet Superiores do të rikthehen të hënën, me tre ndeshje të javës së 24-t, ku padyshim një nga përballjet më interesante është ajo mes Kastriotit dhe Laçit, që do të luhet në Kamëz, duke nisur nga ora 13:45.
Në të njëjtën orë, Egnatia do të presë kampionen në fuqi, Teutën, që këtë sezon po vuan jo pak dhe përballja mes dy skuadrave mund të quhet padyshim edhe sfidë direkte për mbijetesën.
Në orën 16:45 vëmendja do të spostohet në “Elbasan Arena”, ku do të “matin forcat” dy nga skuadrat që ushtrojnë ndoshta futbollin më të bukur në kampionat, Kukësi e Vllaznia, të cilat ndajnë vendin e tretë me të njëjtën kuotë pikësh, 38.
Java e 24-t do të ulë siparin të martën në orën 16:45 në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës, me vendasit që do të presin Dinamon në një tjetër “finale” mbijetese. Korçarët e Memellit mbajnë vendin e fundit në renditje me vetëm 17 pikë, teksa para tyre pozicionohet pikërisht “nëndetësja blu” me 20 pikë.
Kalendari i javës së 24-t:




