Kategoria Superiore

Derbi i Shqipërisë, Vllaznisë i kthehen forcat, Hasani shqetësim për Ahmatajn

Një Tirana-Vllaznia pa tifozë nuk mund të krijojë atmosferën ideale për derbin e Shqipërisë, por Julian Ahmatajt dhe Mirsad Jonuzit iu duhet të përshtaten me rrethanat dhe të marrin më të mirën nga dy skuadra që vijnë me shije të hidhur nga ndeshjet e fundit. Maqedonasi nuk do të jetë në stol, i dënuar nga Komisioni i Disiplinës për deklaratat pas humbjes me Bylisin, ku kritikoi sjelljen e arbitrave ndaj Vllaznisë, por, gjithsesi, ka bërë gjithë përgatitjet e nevojshme për të rikthyer kuqeblutë te suksesi në një ndeshje që për shkodranët pa dyshim ngjall motivim.

Do të jetë Hygor Mungesa e brazilianit, autor i 3 golave në këtë kampionat, është ndier dhe rikthimi i tij është një faktor i rëndësishëm, ashtu si ato të Ramadanit në mbrojtje e Gurishtës në mesfushë, që bashkë me brazilianin e Krymin pritet të mbajnë peshën e repartit të ndërmjetëm. Kujdes për mbrojtjen, nga një pikë e fortë e skuadrës në fillim të kampionatit, ka nisur të lëkundet, me Vllazninë që nuk ia ka dalë të mbajë portën të paprekur në 5 ndeshjet e fundit.

Duhet veçanërisht kujdes përballë Tiranës, që forcën e ka pikërisht te kualitetet dhe në fazën sulmuese, ku gjithsesi për këtë takim Julian Ahamtajt i mungojnë disa emra të rëndësishëm. Me shumë mundësi nuk do të jetë Edon Hasani, vuan një dëmtim lojtari vendimtar i Tiranës në këto dy sezonet e fundit, edhe pse me trajnerin e ri nuk është preferuar si titullar.

Nuk do të jetë as Torasa, ndërsa i riu Muçi është i grumbulluar me Kombëtaren e 19-vjeçarëve, duke reduktuar kështu zgjedhjet në sulm për teknikun 40-vjeçar. Julian Ahmataj ka analizuar gjatë atë barazim në frymën e fundit me Teutën, Tiranës së tij i duhet t’i vrasë më shpejt ndeshjet dhe të mos vuajë aq shumë për të veshur stofin e pretendentes. Sfida me Vllazninë është një shans i mirë për t’u korrigjuar e për të shfrytëzuar pastaj si duhet pauzën e kombëtareve.

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency