Kategoria Superiore

Derbi në sytë e Memës: Fortuzi i shënonte vazhdimisht Partizanit, Tirana më e mirë se të gjithë skuadrat e kampionatit

Është java e derbit dhe tashmë atmosfera ka nisur të ngrohet për ndeshjen e shumëpritur mes Tiranës dhe Partizanit, e cila luhet të shtunën në orën 19:45 në stadiumin kombëtar Air Albania. Mes tifozëve të bardhebluve, është edhe një ish-special për Tiranën teksa fjala është për Ardian Memën.

Ish-futbollisti dhe trajneri i 25-herë kampionëve të Shqipërisë ka dhënë një intervistë për Supersport ndërsa i është përgjigjur pyetjeve të gazetares Albana Bejko. Mema kujton kohën kur ishte vetë në rolin e protagonistit kryesor ndërsa shton se Tirana e këtij sezoni është superiore jo vetëm ndaj Partizanit, por ndaj të gjithë skuadrave të tjera të kampionatit.

E ke provuar derbin në dimensione të ndryshme si lojtar apo edhe trajner- “Çdo derbi ka veçoritë e veta por bukuritë janë kur ke fitore. Kemi qenë një grup futbollstësh që fitonim, kemi pasur një ecuri pozitive ndaj Partizanit. Derbi të jep kënaqësi pavarësisht situatës së ekipit dhe lojtarëve që janë”.

Përjetimi i derbit, krahasimi me kohën tuaj? “Është e vështirë të bëj diferencën me kohën time, tani ka ambient të bukur si Air Albania, të jep kënaqësi. Tifozat e Tiranës, e zbukurojnë këtë vend. Secila kohë ka të vetën, ne kemi qenë më të “varfër” te veshjet dhe stadiumi. Ambienti jep shumë dhe më pas loja që zhvillojnë lojtarët. Ne kemi pasur lojtarë të mirë si Dabulla, Dede apo Fortuzi që ka qenë golashënuesi kundër Partizanit”.

Tirana si kryesuese- “Tirana ka fituar në vitet e fundit dhe ka pasur ekuilibër. Tirana është më e mirë se të gjithë skuadrat e kampionatit jo vetëm se Partizani. Në dy ndeshjet ndaj Partizanit ka fituar me lojë dhe jo vetëm me rezultat. Tirana duhet ta fitojë edhe këtë ndeshje”.

Ku mund të bëjë më mirë skuadra e Shehit- “Grupi në 80% është i konsoliduar, ka harmonizim edhe fitoret bëjnë të vetëm. Çdo hallkë e klubit funksionon përsa kohë fiton skuadra. Ky do të jetë sezoni i Tiranës, por duhet përqendrim dhe ka gjëra për të riparuar. Të mos bazohet vetëm në individë, por të ketë edhe më shumë lojë grupi. Mesfusha dhe sulmi janë më të spikaturat, por nuk duhet lënë më pas mbrojjtja dhe të kenë më bashkëpunim”.

Ecuria pozitive e Partizanit- “Mendoj që Partizani ka bërë ndryshime dhe i referohem merkatos së janarit. Ka bërë levizjet që i duheshin dhe nga vendet e fundit është ngjitur. Ndryshimet e kanë rritur, dhe Tirana nuk do e ketë aq kollaj sa në dy ndeshjet e fundit. Partizani nuk është më ai që kishte humbje dhe barazime dhe që nuk shkonte dot te goli, tani bën lojë të mirë, ka bërë ndryshime dhe është rritur në cilësi.

Besoj se do jetë një ndeshje e fortë. Partizani nuk kërkon dot më shumë se vendi i tretë dhe është në ndjekje të Vllaznisë, mendoj se duhet të shohin Kupën. Por, kjo nuk do të thotë të mos bësh lojëra të mira dhe në kampionat, ndoshta mund të arrijnë objektivin si vend i tretë, por e shoh të vështirë”.

Parashikim për Tirana-Partizani? “I kam bezdi, unë flas për dëshirën dhe kam dëshirë të fitoj Tirana. Besoj se do fitojnë. Tiranën e konsiderojmë si familjen tonë, i uroj fat Tiranës dhe shpresoj të dalin kampion sepse e meritojnë dhe jo vetëm prej dëshirës sime”, u shpreh Mema.

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency