Dëshira e Dinamos nuk mjafton, Skënderbeu kalon në gjysmëfinale
Një sfidë mjaft interesante u zhvillua edhe në stadiumin “Selman Stërmasi” mes Dinamos pretendente për t’u ngjitur në Superiore dhe Skënderbeut që rrezikon seriozisht zbritjen në Kategorinë e Parë, teksa në fund ishin korçarët që fituan 1-3 dhe siguruan kalimin në gjysmëfinale.
Blutë e kryeqytetit e nisën vrullshëm ndeshjen dhe treguan një grintë e dëshirë për t’u admiruar, por diferencën e bëri eksperienca dhe cilësia e korçarëve, që shfrytëzuan në maksimum ato pak mundësi për të dërguar topin në rrjetë.
Kështu në minutën e 21-të ishte sulmuesi Alfred Mensah që zhbllokoi sfidën mes protestave të kryeqytetasve, për një marrje të topit me dorë para se të dërgonte topin në rrjetë, por për arbitrin goli ishte i rregullt.
Dinamo reagoi menjëherë dhe krijoi disa mundësi shënimi, por në momentin më të mirë të bluve, ishte Elvi Berisha që u lirua bukur në zonë dhe arriti të dërgojë topin në rrjetë për herë të dytë, duke i dhënë qetësi Skënderbeut.
Pjesa e dytë nisi me një mundësi mjaft të mirë për Dinamon, pasi Alillari goditi shtyllën, ndërsa në dy momente blutë pretenduan edhe për penallti, por nuk gjetën në të njëjtën mendje arbitrin kryesor.
Për të vulosur rezultatin mendoi sulmuesi shkodran Belajdi Pusi, që pasi mori një pasim fantastik nga Berisha, shtyu topin në rrjetë. Dinamo ngushtoi disavantazhin me anë të brazilianit Wellber, ndërsa më vonë pati një sërë mundësish për të rihapur ndeshjen, por mungesa e qetësisë para porte dhe forma e mirë e portierit Rexhepi, bënë që sfida të mbyllej me shifrat 1-3 dhe korçarët të avanconin në fazën gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.



