Dështimet e mëdha të merkatos në Superiore
Kohë merkatoje me klubet e Superiores që punojnë për përforcimet e janarit. Merkato e dimrit tradicionalisht më e vështirë, ndërkohë që para se të hapet zyrtarisht vlen të kujtohen edhe dështimet e verës, të paktën për sa i përket skuadrave që renditen në zonën e sipërme të klasifikimit, lojtarë që kanë luajtur me pikatore pavarësisht pritshmërive e pagave. Skënderbeu kryeson me meritë por edhe aty nuk mungojnë dështimet e merkatos, më i bujshmi ai i Martin Nespor, vetëm 11 minuta në 16 javë kampionat për atë që pretendohej të ishte sulmuesi i diferencës janë shumë pak. Ka zbritur në fushë në fund të tetorit në përballjen me Luftëtarin dhe që atëherë çeku nuk është parë më. Mund të konsiderohet zyrtarisht i ngelur në derë në kampin korçar ku nuk është i vetmi që ka luajtur me pikatore. Vetëm 3 prezenca për Demte që ka luajtur vetëm 16 minuta. Janë këta të afruarit që kanë luajtur më pak te Skënderbeu ku shkelmojnë në stol edhe të afruar të tjerë gjatë verës. Nazmi Gripshi apo Bruno Lulaj që mund të huazohen.
Flamurtari në vend të dytë, dhe këtu ka pak ose aspak vend për pakënaqësi, Shpëtim Duro ju ka dhënë nga një shans të gjithëve që janë blerë gjatë verës, e megjithatë edhe në kampin vlonjat spikat rasti i çuditshëm i Toungara. Futbollisti nga Mali që ka luajtur më shumë në Kupë në kampionat është aktivizuar vetëm 7 minuta, por ndërkohë mund të krenohet me një gol të shënuar, atë ndaj Kamzës në minutën e 93-të kur gjeti rrjetën menjëherë pasi u fut në lojë nga stoli. Paradoksi i shifrave, me një gol në 7 minuta të luajtura 18-vjeçari ka një mesatare goli më të mirë se Messi apo Ronaldo.
Laçi në zonën europiane, Laçi në vend të tretë. Një ecuri fantastike ajo e skuadrës kurbinase ku blerjet janë të mirëmenduara dhe gjithçka e mirëllogaritur. Rexhinaldo me 7 gola në 12 prezenca është shembulli që ilustron më së miri merkaton, por edhe këtu nuk është se mungojnë blerjet që nuk u panë, sa për të prishur syrin e keq. Ejoh për shëmbull ka luajtur vetëm dy herë, ndërkohë që vetëm një prezencë për Idriz Mbombo, futbollistin nga Kongo që ka luajtur vetëm në sfidën e humbur në shtëpi me Luftëtarin.
Te Kukësi ka munguar rendimenti i blerjeve të verës, por jo minutat e akivizimit. I larguar tashmë Alijev që dha shumë pak edhe pse vetëm në fund humbi statusin e titullarit, supergoditje ajo e Bakajt kryegolashënues , për duartrokitje vlerësimi që Milinkovic arriti ti bëjë të riut Ethemi ndërkohë që nga të afruarit e bujshëm që luajtën më pak, spikat emri i Hair Zeqirit. Interesant koençidenca e vlonjatit që do të luajë për pjesën e mbetur me Kamzën dhe për herë të fundit në kampionat ka luajtur pikërisht ndaj Kamzës, sfidë ku u zëvendësua në minutën e 61.
Në vendin e pestë Partizani dhe këtu dështimi në merkato është punuar publikisht me fshesën që pasoi largimin e Iulianos dhe përfshiu edhe shumicën absolute të afrimeve të italianit. Misteri i madh i mbetur në kampin e kuq është Edgar Çani, i blerë me bujë por që nuk ka mundur të lërë shenjë. Te Partizani presin që ta kenë gati në shkurt, natyrisht nëse nuk gjejnë më parë një zgjidhje në merkaton e janarit.



