Dështoi në Francë, Liverpool përgatit rikthimin e bujshëm
Paris Saint Germain ka hequr dorë plotësisht nga Wijnaldum dhe largimi i tij nga Kampionët e Francës është i pashmangshëm. Holandezi është lënë jashtë listës në turneun parasezonal në Japoni dhe në media po raportohet për një rikthim të bujshëm në Anfield.
Jurgen Klop po monitoron me kujdes situatën e lojtarit dhe nuk përjashtohet një transferim i tij përsëri te Liverpool. Mesfushori u largua nga “të kuqtë” si lojtar i lirë pasi kontrata e tij me klubin skadoi verën e kaluar. Wijnaldum ishte një nga transferimet e shumta të parizienëve në merkaton e bujshme të vitit 2021, por deri më tani nuk ka treguar asgjë dhe është një dështim i plotë në Parc des Princs.
Vetë lojtari e ka pranuar se nuk është i lumtur në Paris dhe mediat franceze e kanë etiketuar si dështimin e vitit në Ligue 1. 31-vjeçari ka kaluar vitin më të errët në karrierën e tij profesioniste, pasi me Liverpool ishte një nga pikat më të forta në formacionin e Jurgen Klop. Wijnaldum në sezonin e fundit në Ligue 1 luajti 31 ndeshje dhe në pjesën më të madhe e nisi nga stoli. Mesfushori shënoi vetëm një gol dhe gjithashtu u la jashtë listës në fazën eliminatore në Champions League kundër Real Madrid.



