Detajisti Ten Hag, në Manchester nuk i plotësojnë dëshirën për gjatësinë e barit
Manchester United kërkon të nisë një cikël fitues nga sezoni i ardhshëm dhe për këtë kanë kontraktuar trajnerin Erik ten Hag, i cili tek Ajax ishte autor i një pune të shkëlqyer duke promovuar të rinjtë, aplikuar një futboll tërheqës e pa lënë mënjanë edhe rezultatet. Tashmë, holandezi kërkon që një strategji të tillë ta bëjë të funksionojë edhe në Angli, ndërsa në radhët e “Djajve të Kuq” ka nisur puna për të transferuar lojtarët që i përshtaten stilit të 52-vjeçarit, ndërsa janë larguar emra si Pogba, Matic apo Mata.
Gjithsesi, për t’i marrë më të mirën skuadrës dhe për të vënë në zbatim lojën e tij, Ten Hag prek edhe detajet më të vogla. Një nga ato është gjatësia e barit të fushës. Holandezi këmbëngul se gjatësia ideale e barit për të luajtur skuadra e tij është 1.5 cm, ndërkohë që në Manchester, në fushën stërvitore të Carrington dhe në stadiumin Old Trafford gjatësia e barit është zakonisht 2 cm.
Mirëmbajtësit e fushës i kanë bërë të ditur ten Hag se nuk mund t’ia plotësojnë dëshirën teknikut pasi në dimër do të kishte probleme për shkak të motit të ftohtë dhe shirave të vazhdueshëm. Në këtë formë, holandezi duhet të përshtatet me realitetin e ri dhe ta bëjë skuadrën të funksionojë edhe më këtë diferencë të vogël.
Megjithatë, ten Hag nuk është i vetmi nga trajnerët që merret me detaje të tilla në dukje të parëndësishme pasi edhe Pep Guardiola është një nga ata që i kushton rëndësi të veçantë gjatësisë së barit të fushës, pa harruar këtu edhe Jurgen Klopp të Liverpool.



