Sport

Dhuna në kryeqytet, FSHV: Volejbolli sport paqësor, Skënderbeu të veprojë si Tirana

Sporti i volejbollit nuk ndiqet nga shumë tifozë në Shqipëri. Pavarësisht kësaj, ditën e djeshme u regjistruan episode dhunë në kryeqytet.

Tirana u përball me Skënderbeun në finalen e volejbollit femrave të Ligës “Gjergj Kastrioti”. Tifogrupet “Fanatics” dhe “Ujqërit e Dëborës” po mbështesnin ekipet e zemrës në sallën “Feti Borova”.

Në një moment situata doli jashtë kontrollit, ultrasit bardheblu sulmuan korçarët dhe për disa minuta salla e sportit u përfshi nga sherri i madh dhe u kthye në një arenë përleshjeje.

Sot ka ardhur reagimi i Federatës Shqiptare të Volejbollit, që me anë të një komunikate zyrtare dënon, vlerëson distancimit e klubit kryeqytetas nga dhuna dhe deklaron se të njëjtin veprim duhet të bëjë edhe Skënderbeu.

DEKLARATA PËR SHTYPIN E FSHV-së

Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV) shpreh keqardhjen e saj për ngjarjen e papëlqyer përpara fillimit të ndeshjes Tirana-Skënderbeu, e vlefshme për finalen e edicionit të parë të Ligës “Gjergj Kastrioti” në volejboll për femra.

Duhej të ishte një ndeshje e zhvilluar në frymë miqësore, që do të përcillte mesazhe paqeje e kulture, por disa huliganë tentuan ta prishnin festën qe ky eveniment historik po përcillte në të dy anët e kufirit, pasi kjo është një veprimtari e përbashkët midis dy Federatave, asaj të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.

Sporti i volejbollit në vete strukturën e lojës është një sport paqësor dhe ngjarje të kësaj natyre lënë shije të hidhur, kur shikon te përfshihet në to edhe të afërm stafesh apo familjarë pranë tyre.

Me keqardhje konstatojmë se këto javët e fundit, ky fenomen po behet shqetësues, ndaj u bëjmë thirrje të gjitha ekipeve pjesëmarrëse në këtë periudhë të sezonit sportiv, pasi kemi hyrë në fazën e nxehtë dhe emocionet janë akoma e më të mëdha.

Duke përgëzuar reagimin e Klubit Sportiv “Tirana”, që u distancua menjëherë nga ajo pjesë e pashëndetshme e tifozerisë së saj, Federata Shqiptare e Volejbollit i bën thirrje veçanërisht Klubit Shumësportësh “Skënderbeu” që të distancohet nga dhuna dhe të tërhiqet nga gjuha ofenduese, denigruese dhe aspak etike, siç nuk i ka hije një qyteti me kulturë e tradite, si Korça.

FSHV është e vendosur që të gjithë së bashku të përcjellim frymën e lojës së ndershme (Fair Play) dhe çdo tentativë për provokim që do të cenojë imazhin e sportit në përgjithësi, do të jetë objekt i ndëshkimeve, me qëllim ruajtjen e cilësisë së volejbollit për të cilin ne si Federatë kemi punuar kaq shumë.

Federata Shqiptare e Volejbollit përfiton nga rasti t’u urojë suksese të gjitha ekipeve të saj në vijim të këtij sezoni“.

Sa e njihni La Ligën?

Testoni njohuritë tuaja mbi kampionatin spanjoll...


Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency