Dier “i dashuruar” me pasionin e Conte-s: Merret me detajet më të vogla, ketchup nuk është i ndaluar
Tottenham ka filluar një epokë të re duke qenë se prej disa kohësh ekipi i është besuar trajnerit Antonio Conte. Italiani njihet për mënyrën e tij unike të të punuarit, teksa është gjithnjë shumë kërkues ndaj futbollistëve, ndërsa këta të fundit e kanë pohuar se stërvitjet e tij janë tejet të rënda. Së fundmi, për Conte ka folur edhe një nga lojtarët kryesorë të Tottenham siç është Eric Dier.
Lojtari britanik thekson se Conte ia del më së miri të përçoj pasion te futbollistët, ndërsa shton se ka një vëmendje të madhe edhe ndaj detajeve më të vogla, ndërsa në ishull pretendojnë se 52-vjeçari iu ka ndaluar lojtarëve përdorimin e ketchup-it.
“Të gjithë duan të flasin për stërvitjet e Conte-s. Jam shumë entuziast që punoj me një trajner të kalibrit të tij, ai i përmirëson shumë skuadrat e tij, por edhe lojtarët nga ana individuale. Nëse kërkon të përmirësohesh dhe të shtysh më shumë, atëherë ky është ambienti i duhur për të qenë.
Është shumë emocionuese të shkosh çdo ditë në stërvitje kur ka kaq shumë intesitet, shumë përkushtim edhe ndaj detajeve më të vogla dhe ku trajneri është shumë kërkues. Të punosh në këtë formë të shijon dhe të stimulon. Conte është special, kur ai flet të përçon të gjithë pasionin për futbollin. Mënyra e tij të mbush me energji dhe fjalët e tij kanë shumë peshë. Ai e gjen mënyrën për të mbërritur te ty dhe kjo është shumë motivuese.
A është ndaluar përdorimi i ketchup? E kam dëgjuar që është diskutuar në media, por nuk e di nëse është e vërtetë. Megjithatë, mendoj se nuk ka asnjë të vërtetë këtu. Unë nuk e konsumoj ketchup-in, e di që thuajse të gjitha gjërat kanë ndryshuar këtu te Tottenham, por nuk është aq drastike sa e bëjnë njerëzit”, u shpreh Dier.



