Dikur quhej “Përbindëshi”, pastaj i vuri zjarrin shtëpisë, ish-i i Bayernit kërkon ende të luajë futboll
Kur u transferua nga Sao Paulo te Bayerni në vitin 2008, kur ishte vetëm 18 vjeç, Breno Vinicius Rodrigues Borges ishte një nga qendërmbrojtësit më premtues në skenën e futbollit brazilian. “Një përbindësh”, e quante një gazetar brazilian në atë kohë. Tashmë në të tridhjetat, Breno po përpiqet t’i tregojë vetes se është ende futbollist.
Breno tani është pa ekip, pasi u lirua nga kontrata me Vsco da Gama. Klub me një të kaluar të lavdishme, por në vështirësi prej vitesh. Paraqitja e tij e fundit me klubin nga Rio de Janeiros ishte më 10 gusht 2018: 1-0 ndaj ekuadorianëve të LDU Quito në Copa Sudamericana. Pastaj, asgjë.
Këputja e ligamentin kolateral të gjurit të majtë në atë ndeshje e largoi nga futbolli për një kohë të gjatë. Atij iu desh saktësisht një vit për t’u rikthyer në stërvitje. Në vitin 2019, ishte në stol 4 herë në kampionat, por pa u futur asnjëherë në fushë. Pastaj ngriti sërish flamurin e bardhë, mes dhimbjeve. Një rikthim që e la jashtë fushave për disa muaj të tjerë.
Me zhdukjen e dhimbjeve, ish-Bajerni iu rikthye stërvitjeve së bashku me shokët e skuadrës. Momenti i rikthimit në fushë, megjithatë, edhe për shkak të Koronavirusit, që në vitin 2020 paralizoi edhe futbollin brazilian, nuk ka ardhur kurrë.
Një makth për një futbollist që ishte në kryetitujt e lajmeve ndërkombëtare për një episod të trishtë dhe të famshëm: i vuri zjarrin shtëpisë së tij në Mynih në vitin 2011, veprim që i kushtoi tre vjet e nëntë muaj burg, që më pas u reduktua në dy vjet e gjashtë muaj.

“Shumë njerëz folën pa e ditur se çfarë ndodhi. U transferova shumë i ri në Gjermani, me një kulturë tjetër, përballë një gjuhe shumë të vështirë për t’u mësuar. Mendova se mund të luaja, por nuk ishte kështu. Më huazuan te Nuremberg, gjeta vazhdimësinë, por më pas u lëndova. Kreva operacionin dhe mungova 10 muaj, u ktheva dhe m’u desh të operohesha përsëri. Kështu fillova të pija. Një herë humba vetëdijen dhe ndodhi aksidenti”.
Zjarri e largoi nga Bayerni dhe e ktheu në Brazil. Sao Paolo, pastaj Vasc da Gama. Por Breno nuk ishte kurrë i njëjti, mes kujtimit të asaj që ndodhi, vështirësisë për t’u rikthyer në një ekip futbolli, disa problemeve të lidhura me peshën dhe problemeve të vazhdueshme të gjurit. Tani, në moshën 33-vjeçare, kthimi në rrugën e duhur duket i vështirë.




