Dinamo-Partizani, nje derbi humoresh të kundërta
Dinamo dhe Partizani prezantohen në derbin e pestë sezonal mes tyre me humore të kundërta. “Të kuqtë” vijnë në rritje nën drejtimin e Dritan Mehmetit, trajnerit që e sjell skuadrën në këtë sfidë pas 3 fitoresh dhe një barazimi, ndërsa në kampin e bluve “kura” Bledar Devolli, deri më tani nuk ka dhënë rezultat, duke qenë se tekniku ka koleksionuar 3 humbje, në po kaq ndeshje në drejtim.
Dinamo është në krizë të plotë dhe për më tepër klasifikimi, ku tani renditen të tretët nga fundi, në luftë për mbijetesë e ka bërë presionin asfiksues. Nevojitet një reagim, duke nisur nga ky derbi, për të ndriçuar pak atmosferën dhe kjo sfidë është vendimtare për të ndryshuar kurs, edhe pse “blutë” në 4 përballje me “të kuqtë” që këtë sezon nuk kanë fituar asnjë, duke koleksionuar dy barazime dhe dy humbje, teksa u eliminuan edhe nga Kupa me golin e ishit Skuka, që u konsiderua i panevojshëm te Dinamo, por po shkëlqen duke shënuar në vazhdimësi me fanellën e kuqe.
Falë golave të tij, Partizani ka koleksionuar suksese duke fituar vetëbesim, me progresin që është evident, edhe pse në javën e fundit barazuan një ndeshje që e luajtën për një pjesë në superioritet numerik ndaj Vllaznisë. Me më të mirët në dispozicion, Mehmeti ka pasur edhe më shumë qetësi për ta përgatitur sfidën, teksa skuadra e tij tani shikon nga pjesa e sipërme e klasifikimit, ku vendi i tretë që siguron Europën mbetet një objektiv shumë i komplikuar.
Për Dinamon ndërkohë nuk mund të flitet për objektiva, organika qartazi nuk është për mbijetesë, në dimër merkatoja ishte cilësore, u ndryshua dhe drejtimi teknik, por skuadra mbetet në një dishezë të rrezikshme dhe në këtë pikë, apeli është për vetë lojtarët që duhet të gjejnë forcën për të nxjerrë Dinamon nga tuneli.



