Disfata në El Clasico bën Perez të reflektojë, presidenti gati për merkaton galaktike
Real Madrid pësoi një disfatë të rëndë në El Clasico ndaj Barcelonës me rezultatin 0-4 duke bërë që në stafin teknik dhe tek drejtuesit të ketë një reflektim të thellë për situatën e skuadrës e cila vuajti shumë mungesën e freskisë, por edhe në aspektin ofensiv pasi mungonte lideri Karim Benzema.
Kështu, pas sfidës me katalanasit, drejtuesit e Los Blancos me në krye presidentin Florentino Perez janë të bindur se ekipi ka nevojë për ndërhyrje dhe pas Kylian Mbappe që tashmë është thuajse një lojtar i spanjollëve, vëmendja është kthyer te Erling Haaland.
Madrilenët janë të bindur se nuk mund të shkojnë përpara vetëm me Benzema i cili hap telashe sa herë mungon, por që për më tepër është në moshën 34-vjeçare. Ndaj, kanë zgjedhur freskinë dhe muskujt e norvegjezit për të qenë edhe më konkurrues në sezonin e ardhshëm edhe pse nuk do ta kenë të lehtë të fitojnë garën ndaj Manchester Cityt që po ashtu kërkon me ngulm lojtarin e Borussia Dortmund.



