Disiplina gjobit Flamurtarin dhe dënon zyrtarin e Apolonisë
Komisioni i Disiplinës, pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, u mblodh sot për të analizuar sjelljet e pahijshme, të vërejtura gjatë ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë, të zhvilluara këtë mesjavë.
Kështu ky komision vendosi të dënojë me 200 mijë lekë gjobë klubin e futbollit Flamurtari, për shkak të sjelljes së pahijshme të tifozërisë, gjatë sfidës me Tiranën, e cila përfundoi me rezultatin minimal 1-0 në favor të vlonjatëve.
Por Komisioni i Disiplinës nuk u ndal për të aplikuar dënim ekstra ndaj sulmuesit të bardhebluve, Grent Halili, i cili qëlloi me shpullë sulmuesin brazilian të Flamurtarit Kale, gjest për të cilin u ndëshkua me karton të kuq.
Vendimet e plota të Komisionit të Disiplinës:
1. FC “Flamurtari”, për sjellje të gabuar të spektatoreve, në bazë të Nenit 66/1 të KDS, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqindmijë) lek.
2. Zyrtari i KF “Apollonia”, Erion Hamitaj, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 56/1/a) të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
3. Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të KF “Klosi”, Ardit Kadiu, si të pa bazuar në KDS dhe Rregulloret e tjera të FSHF.



