Dita e katërt e grumbullimit/ Grupi i plotë dhe atmosferë pozitive, Reja mendon formacionin
Kombëtarja e Shqipërisë vazhdon me përgatitjet për ndeshjen miqësore kundër Spanjës teksa është në ditën e katërt të grumbullimit në një nga komplekset sportiv më të famshëm në provincën e Gironës.
Gazetari i Supersport pranë kombëtares në Spanjë, raporton se atmosfera te kuqezinjtë është shumë e mirë, ndërsa aspekti më pozitiv është që asnjë prej lojtarëve nuk ka shfaqur probleme fizike dhe në këtë formë trajneri Edy Reja ka lirinë e plotë për të përzgjedhur 11-tëshen për sfidën ndaj iberikasve. Italiani në fakt, ka nisur edhe të ketë ide më të qarta mbi lojtarët të cilët do të zbresin në fushë kundër spanjollëve.
Ndërkaq, nesër gjatë orëve të paradites, kombëtarja do të zhvendoset në Barcelona, aty ku do të jetë konferenca e trajnerit dhe kapitenit të skuadrës ndërsa do të bëhet edhe stërvitja e fundit në stadiumin e ndeshjes, Cornella El Prat.



