Kategoria Superiore

Dita ‘ngrin’ entuziazmin e të kuqve, Skënderbeu prek titullin

Skuadrat e mëdha fitojnë edhe kur vuajnë gjatë gjithë 90-minutëshit dhe kjo ndodhi sot me Skënderbeun, që doli me 3 pikë nga transferta kryeqytetase ndaj Partizanit.

Nën një atmosferë elektrizuese në “Selman Stërmasi”, kryendeshja e javës së 30 të Superligës ishte vërtetë në lartësinë e pritshmërive, pasi në fushë u pa gjithçka i duhet një ndeshjeje futbolli, ndonëse goli ishte vetëm një, ai që vendosi rezultatin.

Fillimi i takimit ishte mjaft i vrullshëm për Partizanin, që brenda 20 minutave të para kërcënoi të paktën 3 herë rrezikshëm portën e korçarëve. Fillimisht Abdurrahimi dhe më pas Asani e Progni, vunë në provë aftësitë e portierit Teqja, që tregoi se është në lartësinë e duhur për të zëvendësuar Shehin në katërkëndëshin e portës.

Nga ana tjetër, mungesa e James dhe Sowe ndihej shumë te Skënderbeu, që nuk kishte një sulmues të mirëfilltë në sulm, për t’i dhënë frymëmarrje lojës dhe për të mbajtur larg kundërshtarin. Herë Nimaga dhe herë Vila alternoheshin në qendër të sulmit, por dukej qartë që nuk kishin lidhje me atë pozicion.

Pjesa e parë u mbyll me dominimin e Partizanit, si territorial, ashtu edhe në raste për gol, ndërsa korçarët u mbajtën mirë, duke ulur ritmin dhe duke mos nxjerrë topin nga rrjeta.

Ndryshe nga 45-minutëshi i parë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për pjesën e dytë, ku skuadrat ndjenë lodhjen në këmbët e tyre dhe nuk arritën të ishin aq të rrezikshëm në portat respektive.

Gjithsesi, Skënderbeu u bë më kërkues në 10 minutat e fundit të sfidës dhe u shpërblye në minutën e 4-t shtesë, kur pas ekzekutimit të një faulli dhe një rrëmuje në zonë, ishte Bruno Dita ai që gjuajti dhe dërgoi topin në rrjetën e portës së Alban Hoxhës.

Me këtë fitore, Skënderbeu shkon në +14 pikë nga Kukësi ndjekës dhe mund të festojë titullin që në javën e ardhshme, ku në Korçë do të presë pikërisht verilindorët e Pacult.

Nga ana tjetër, skuadra e Dalipit pëson humbjen e dytë radhazi, duke humbur tashmë edhe vendin e 3-të të renditjes, që të çon në kompeticionet europiane, ndonëse ka ende edhe 6 javë në dispozicion, për të rikuperuar ndaj Luftëtarit të Likës.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency