Dobi: Polakët na trajtojnë me respekt, besoj te rezultati pozitiv
Ish sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, Enkelejd Dobi ishte i ftuar në një lidhje direkte me emisionin “Kuqezi” në Supersport, ku foli për atmosferën në prag të ndeshjes Poloni-Shqipëri dhe mënyrën se si është komentuar kjo përballje në mediat vendase.
Durrsaku 46-vjeçar ka luajtur për skuadra të ndryshme përreth 10 sezone në kampionatin polak, ku ka provuar edhe dy eksperienca si trajner më vonë, ndërsa prej shumë vitesh jeton pikërisht në Poloni.
Sa shanse ka Shqipëria në këtë përballje?
Ndeshja fillon 0-0 dhe sigurisht që kemi shumë shanse, por duhet bërë kujdes, pasi dihen vlerat e Polonisë. Më vjen mirë që trajneri reja ka hedhur në fushë një formacion të ngjeshur, pasi me kundërshtarë të shpejtë e sulmues si Lewandowski, duhet bërë shumë kujdes. Gjithsesi them se do të jetë një 90-minutësh mjaft interesant dhe shpresoj të marrim rezultat pozitiv.
Keni qenë në qendër të vëmendjes edhe në mediat polake gjatë këtyre ditëve. Si shikohet Shqipëria këtu?
Natyrisht që trajtohet me shumë respekt, pasi këtu janë të gjithë të ndërgjegjshëm për cilësitë që kemi në përfaqësuese. Kemi lojtarë që luajnë në Serinë A, apo në liga të tjera të rëndësishme të futbollit europian, ndaj na trajtojnë me respekt, por në fund do të flasë fusha.



